Bota

Arma e re supersonike e Rusisë shkakton panik në SHBA

Sistemi i ri hipersonik i raketave ruse, që presidenti Vladimir Putin thotë se është i pathyeshëm nga mbrojtja amerikane, do të hyjë në shërbim në vitin 2019.

“Rusia është i pari vend në botë që siguron një armë të re strategjike, që do të garantojë sigurinë e shtetit dhe popullit tonë për dekadat që do të vijnë. Kjo është e mrekullueshme, një dhuratë e bukur për vendin këtë Vit të Ri”, tha Putin. Raketa mund të rregullojë lartësinë dhe drejtimin, me qëllim evitimin e mbrojtjes kundërshtare dhe të fluturojë ulët, aq sa të evitojë pjesën më të madhe të interceptuesve. Sistemi “Avangard” hipersonik u testua nga ushtria një ditë më parë. Sipas raporteve, raketa ka rreze veprimi ndërkontinentale dhe mund të fluturojë me shpejtësi prej më shumë se 15 mijë miljesh në orë. “Do të jetë e pathyeshme”, tha Putin gjatë një fjalimi para Parlamentit rus. Gazeta gjermane Die Welt thekson se për Perëndimin ka qenë prej kohësh i njohur fakti se rusët kanë zhvilluar dhe testuar armët hipersonike. Ajo që e bën unike raketën Avangard është manovrimi i saj, ndërsa ajo vazhdimisht ndryshon kursin dhe lartësinë ndërsa fluturon nëpër atmosferë, në rrugën e saj zigzage drejt objektivit të saj, duke e bërë të pamundur parashikimin e vendndodhjes së kësaj arme. Kjo karakteristikë siguron që objektivi i kësaj rakete hipersonike në të vërtetë mbetet pothuajse sekret, sipas Institutit Studimor amerikan Rand. “Ne nuk kemi mbrojtje që mund të parandalojë përdorimin e një arme të tillë kundër nesh”, tha John Hyten, kreu i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara. Sipas Die Welt, radarët e tanishëm amerikanë ende nuk mund të perceptojnë një raketë të tillë në distanca të mjaftueshme. “Ju duhet të mbuloni mijëra milje, jo qindra”, i tha inxhinieri kryesor i Pentagonit dhe ish-shefi i NASA-s Michael Griffin një paneli ekspertësh pak përpara fillimit të testimit të raketës ruse Avangard. “Nuk ka shumë vende ku radarët mund të dislokohen dhe nëse i perceptojnë raketat, ata ndoshta do të bëhen objektiva”, tha Griffin. Sipas Die Welt, SHBA ndoshta do të duhet të instalojnë një rrjet të sensorëve të zbulimit në hapësirë për të trajtuar këtë problem. Griffin gjithashtu vuri në dukje se jo vetëm Rusia, por edhe Kina po punon intensivisht në armët hipersonike, duke tejkaluar SHBA-të. “Kina ka testuar më shumë armë hipersonike vitin e kaluar, sesa ne në një dekadë. Ne duhet ta ndryshojmë këtë”, shtoi ai. Duke u mbështetur në këto zhvillime, agjencia kërkimore e Pentagonit, Darpa publikoi një thirrje urgjente për industrinë nën sloganin “Glide Breaker Programme” për të dalë me sugjerime se si të krijohet një sistem mbrojtës për armët hipersonike në shtresat e sipërme të ajrit. Megjithatë, Die Welt thekson se detajet e këtij programi mbeten sekrete./ PT