“Armenia duhet të tërhiqet nga çdo territor i pushtuar”

Udhëheqësi i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, i bëri thirrje Armenisë që të tërhiqet nga territoret e pushtuara “pa ndonjë parakusht”.

“Malësia e Karabakut duhet t’i jepet Azerbajxhanit… pas këtij armëpushimi dhe bisedimet diplomatike duhet të fillojnë”, tha Bahçeli, në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij.

Kreu i MHP-së kujtoi sulmin me raketa të së dielës nga Armenia në qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit, Ganja, i cili shkeli armëpushimin e përkohshëm të arritur për të shkëmbyer të burgosurit dhe për të marrë trupat e viktimave.

“Nëse Armenia bëhet më e fortë… e ardhmja do të ketë pasoja të tmerrshme për turqit azerbajxhanas. Sigurisht, Turqia do të detyrohet të merret me këto zhvillime tronditëse”, tha Bahçeli.

Ai tha se Armenia duhet të tërhiqet nga çdo territor i pushtuar.

Sulmi me raketa nga forcat armene rreth orës 2:00 të mëngjesit sipas kohës lokale në Ganja, që ndodhet jashtë zonës së vijës së frontit, shkeli një armëpushim të përkohshëm midis të dy palëve dhe la të paktën 35 civilë të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë.

Armëpushimi humanitar ishte shpallur të shtunën për shkëmbimin e të burgosurve dhe tërheqjen e trupave të të vdekurve në Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Armëpushimi erdhi pas takimit trepalësh që u mbajt të premten në Moskë midis ministrave të jashtëm të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Bahçeli kritikoi takimin në Moskë, duke thënë se nuk arriti të sjellë ndonjë zgjidhje. “Sipas mendimit tonë, ky takimi është një koncesion”, tha ai.

Përleshjet e reja filluan më 27 shtator kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar viktima.

Shumë fuqi botërore përfshirë Rusinë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për një armëpushim të ri. Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje dhe kërkoi tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.

Zjarret në pyje

Bahçeli tha se terroristët e YPG/PKK-së kanë marrë përgjegjësinë për zjarret në pyjet në provincën jugore Hatay.

“Ata (terroristët) janë fëmijët e djallit”, tha ai dhe bëri thirrje për sjelljen e autorëve të krimit para drejtësisë.

Të shtunën, të paktën 10 persona pësuan lëndime të lehta për shkak të zjarreve në krahinë.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30 vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjet e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne