Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur për masë të arrestit shtëpiak ndaj Haki Rugovës dhe ndaj dy të tjerëve.
“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit H.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar si dhe ndaj të pandehurit L.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Ndaj tyre është caktuar masë e arrestit shtëpiak prej një muaji.
“Për të pandehurin F.B, i dyshuar se në bashkëkryerje me të pandehurit H.R dhe L.B kishte për të kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar, prokurori i shtetit në seancë hoqi dorë nga propozimi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak. Të pandehurve H.R dhe L.B iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji”.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit H.R dhe L.B kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri mund të ndikojnë tek zyrtaret Komunalë, por edhe tek dëshmitarët e tjerë në drejtim te fshehjes dhe ndryshimit të provave materiale e me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale.
Gjykata sipas detyrës zyrtare dhe sipas propozimit të mbrojtësve që ndaj të mbrojturve të tyre të refuzohet propozimi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ka vlerësuar edhe masat e tjera por ka gjetur se masa e arrestit shtëpiak është masa më adekuate në këtë fazë të procedurës penale.