ARRESTOHEN SHTATË XHIHADISTË NË MAQEDONI

Në një bastisje të hënën, policia maqedonase arrestoi shtatë persona të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë të huaj në konfliktet në Siri dhe Irak.

Të dyshuarit e ndaluar, të gjithë shtetasit maqedonas të moshës ndërmjet 23 dhe 47 vjeç, dyshohen për pjesëmarrje aktive në konfliktet në Siri dhe Irak si luftëtarë të huaj, tha Ministria e Brendshme në një njoftim për shtyp të martën.

Ministria tha se bastisja ishte vazhdim i operacionit ‘Cell’, një goditje policore në vitet 2015-2016 ndaj luftëtarëve të ISIS, të cilët ishin kthyer në Maqedoni, disa prej të cilëve tani po kryejnë dënime me burg.

“Operacioni konfirmon edhe një herë që institucionet maqedonase kanë kapacitetin dhe besueshmërinë për t’u marrë me sfidat aktuale të sigurisë dhe janë një partner serioz në koalicionin global kundër terrorizmit”, tha Ministria.

Në vitin 2014, Maqedonia bëri ndryshime në ligjin penal për të sjellë dënime me burg për maqedonasit që luftonin me organizatat paraushtarake jashtë vendit.

Ligji tani parasheh një burg minimal prej pesë vjetësh nëse një person është kapur duke marrë pjesë në një grup paraushtarak apo para-policor të huaj. I njëjti dënim minimal parashihet për ata që janë shpallur fajtorë për mbështetjen e tërthortë të veprimeve të tilla.

Maqedonasit etnikë, të cilët përbëjnë shumicën në vend, janë kryesisht të krishterë ortodoksë dhe rekrutuesit xhihadistë në të kaluarën kanë pasur në shënjestër kryesisht popullsinë e konsiderueshme shqiptare, e cila është kryesisht myslimane.

Megjithëse shumica e ekspertëve të sigurisë thonë se koha për rekrutimin e luftëtarëve xhihadistë nga Maqedonia dhe pjesa tjetër e Ballkanit ka kaluar, vlerësimet e policisë tregojnë se së paku 30 njerëz nga Maqedonia kanë vdekur deri tani në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe se më shumë se 70 janë kthyer në shtëpi.

Burimi: Insajderi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne