Rajoni

Arrestohet në Kosovë i kërkuari për vrasje Kastriot Gjuzi

Policia e Kosovës ka vënë në pranga ditën e djeshme autorin e dyshuar të vrasjes së Mario Majollarit pak ditë më parë në Tiranë.

Burime të sigurta të Express nga policia e Kosovës bënë me dije se kanë arrestuar Kastriot Gjuzin, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare për vrasjen e 28-vjeçarit, afër banesës së tij në zonën e ish-Kinostudios në Tiranë.

Express mëson se policia e Kosovës e ka arrestuar Gjuzin teksa ka tentuar që të futet në Kosovë, përmes pikës kufitare të Vërmicës.

Burime për Gazeta Express thanë se Kastrito Gjuzi ka tentuar që të kalojë për në Kosovë përmes malit, për të shmangur arrestimin nga policia.

Por, policia Kufitare e Kosovës, duke monitoruar zonën kufitar, ka mundur që të dalloj me anë të dylbive Kastrito Gjuzin, i cili ishte nisur për në fshatin Vërmicë.

Ai është ndaluar për kontroll nga policia e Kosovës dhe i është kërkuar një mjet identifikimi.

Ka qenë karta e identitetit, e cila ka zbuluar se Policia e Kosovës nuk kishte të bënte me një person të thjeshtë që po kalonte kufirin ilegalisht, por me autorin e vrasjes së Mario Majollarit.

Pasi është arrestuar, policia e Kosovës e ka dorëzuar atë tek autoritetet shqiptare.

Menjëherë pas ngjarjes së nodhur me 12 Prill, policia nisi hetimet mbi motivet e vrasjes dhe si pistë e parë ishte ajo e gjakmarrjes për shkak të dy vrasjeve që i ati i Majollarit kishte kryer në vitin 2000.