Arrestohet redaktorja e portalit malazez, përhapi lajmin e rremë se Forcat Speciale të Kosovës janë në dispozicion të Malit të Zi

Në Mal të Zi është arrestuar redaktorja e “Fos Media”, Anxhela Gjikanovic, pasi raportoi se 250 anëtarë të Policisë së Kosovës janë në dispozicion të shtetit të saj.

Ajo është arrestuar nën akuzën se ka përhapur panik se 250 anëtarë të Policisë Speciale të Kosovës janë vënë në dispozicion të autoriteteve malazeze për intervenim, në ditën e Krishtlindjeve, pas tensioneve me Serbinë. Sipas Ekspres, autoritetet malazeze kanë thënë se “gjithçka në tekstin e këtij lajmi ishte gënjeshtër absolute dhe përpjekje për përhapjen e dezinformatave, që për qëllim kishte përhapjen e panikut”.

Sot gjatë ditës ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës që ka mohuar këto raportime.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës demanton fuqishëm shpifjen e publikuar nga FOS Media dhe disa portale tjera lokale në Mal të Zi, në lidhje me gjoja ‘disponueshmërinë’ e Forcave Speciale të Policisë së Republikës së Kosovës (ROSU) për intervenim në territorin e Republikës së Malit të Zi, me rastin e Natës së Krishtlindjeve Ortodokse.

Republika e Kosovës respekton sovranitetin e Republikës së Malit të Zi dhe vë në pah se në bazë të ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës, përgjegjësitë e Policisë së Kosovës kufizohen në kuadër të territorit të Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës konsideron se informacionet e falsifikuara dhe dashakeqja nuk i shërbejnë paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon, si dhe u bën thirrje qarqeve të këtilla të rishikojnë qëndrimet e dëmshme që i shërbejnë tensionimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ndëretnike dhe ndërfetare”, thuhet në reagim të MPJ-së së Kosovës.

Pas botimit, “Fos Media” ka hequr tekstin e lajmit dhe ka kërkuar falje publike.

Tensionet vijojnë mes Serbisë dhe Malit të Zi. Pak ditë më parë u sulmua ambasada e Malit të Zi në Beograd. Mbështetësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe tifozët e “Yllit të Kuq” u përpoqën të shkatërronin flamurin malazez para ambasadës me të mjete piroteknike, duke hedhur kapsolla dhe fishekzjarrë mbi të.

Ligji i miratuar kohët e fundit në Kuvendin për Komunitetet Fetare shkaktoi një valë protestash në të gjithë Malin e Zi, të organizuar nga serbët vendas dhe Kisha Ortodokse Serbe (SPC).

Këta të fundit e përshkruajnë ligjin si të dëmshëm për interesat e tyre.

Në seancën e fundit të Kuvendit, të vitit 2019 pati edhe debate në tensione për këtë çështje. Deputeti serb i Frontit Demokratik, Andrija Mandiç bëri thirrje për luftë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne