Arsyet pse Armando Duka e fitoi garën e FSHF

Megjithëse gara ishte parashikuar si shumë e fortë, Armando Duka u rizgjodh për të pestën herë në krye të FSHF-së duke e munduar Bashkim Finon me një rezultat shumë të ndjeshëm. Në këtë fitore me 38 vota, ndikuan një sërë faktorësh. Që nga ndërhyrja e politikës e deri tek organizimi i FSHF-së.

 

  • Armando Duka fitoi sepse pati përballë një kandidat të ardhur nga politika dhe të pilotuar nga qarqe shumë pranë kryeministrit Rama. Një gjë e tillë bëri që rreth presidentit aktual të koagulohen të gjithë faktorët kundër qeverisë. Që nga mediat më të mëdha në vend, gazetarët me emër e deri tek partitë opozitare që kishin në Asamble afro ¼ e votave të kontrolluara prej tyre, u mobilizuan që Edi Rama të mos fuste në kthetrat e tij FSHF-në. Kështu, megjithëse Fino, i vizatuar si i vetmi kandidat që për arsye politike mund të arrinte të thyente hegjemoninë e presidentit aktual, mori shumë vota politike bashkish, ai krijoi rreth vetes një efekt boomerang. Ai tuboi së bashku njerëz që nuk do të ishin bashkuar kurrë, nëse ai nuk do të qe futur në garë.

 

  • Armando Duka fitoi edhe sepse ai ka ngritur për katër mandate në federatë një sitem lidhjesh klienteliste, me marrëdhënie dhe ndere personale, të cilin nuk mund ta zhbëjë dot as pushteti politik. Jo më kot intelektuali francez Jaques Atali ka thënë për FIFA-n dhe UEFA-n se ato janë organizma diktatoriale që sfidojnë fuqinë e çdo qeverie lokale. Këtë herë edhe në Durrës u vërtetua teza se futbolli, që ka të njëjtat vese si politika në drejtim, nuk mund të sfidohet lehtë prej saj.

 

  • Armando Duka fitoi edhe sepse, pavarësisht nga skandalet juridiko- financiare që i zbuloi Fino, pra pavarësisht nga ato, ai e kishte mandatin që sapo mbylli, mandatin e tij më të mirë. Gjatë këtij mandati trajneri i zgjedhur prej tij, Giani De Biasi dhe skuadra e tij, arritën të çojnë Shqipërinë në Finalet e France 2016. Përpos këtij suksesi ekskluzivisht sportiv, Federata, me gjithë mangësitë në nivel lokal, tregoi se ka një fuqi të konsiderueshme në planin e lobingut ndërkombëtar. Ajo mundi UEFA-n dhe Serbinë gjatë procesit ndërkombëtar të Gjykatës sportive CAS në Zvicër. Pra këto dy suksese do të ishin të mjafta që Duka të kishte edhe argumentat publikë për fitimin e një kandidimi të dytë.

Megjithatë, pavarësisht se kjo është fitorja më e vështirë e Armando Dukës, ajo e ka bërë shumë më fraxhil profilin e tij në publik. Me aksesin mediatik që kishte dhe me aparatin shtetëror që iu vu në dispozicion, Bashkim Fino arriti të nxjerrë gjatë kësaj fushate shumë anë të errëta e të panjohura të FSHF dhe metodat autoritare të drejtimit të presidentit aktual. Prandaj, sado e përmasave epike të jetë kjo fitore, prej saj ka dalë një president që qëndron mbi këmbë argjili.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne