Arta Dade presidente? Deputetja: Do isha e lumtur po të merrja edhe “OK” e opozitës

E ftuar në emisionin “Arena” të Dritan Hilës, kryetarja e Komisionit të Jashtëm Arta Dade është shprehur se do ndihej e nderuar nëse do zgjidhej ajo presidente.

“Do të isha e nderuar për këtë post. Nëse do të isha personi që garantoja konsensusin, do të kisha kënaqësinë, privilegjin, normale edhe nderin për ta kryer këtë detyrë. Kjo mbetet për t’u vendosur nga kolegët e grupit. Meta dhe Rama pavarësisht se janë liderët e dy forcave politike, kanë nga një votë në Parlament. Madje, do të isha e lumtur që të kisha edhe “OK-n” nga ana e opozitës.”, është shprehur Dade.

Deputetja Dade thekson se është shumë e rëndësishme që zgjedhja e presidentit të ri të bëhet me konsensus, pikërisht në ditën kur dështoi edhe raundi i dytë i zgjedhjes së Presidentit.

“Fakti që kërkohet zgjedhja me konsensus, besoj kjo është e udhës. Mazhoranca i ka 90 vota. Ne kemi kaluar ligje me 89 vota. Sigurisht që në këtë rast janë Blushi dhe Hafizi, që për ligje të rëndësishme kanë votuar si ne. Unë kam qenë në listën e një grupi deputetësh që Presidenti të zgjidhej nga populli, jo për më shumë kompetenca, por për më shumë legjitimitet.

Kushtetuta e ka lënë të hapur që Presidenti të zgjidhet me konsensus. Do të kisha parapëlqyer që Presidenti të zgjidhej me shumicë të cilësuar në një diapazon më të gjerë se një parti që e propozon. Të shpresojmë që e marta të na sjellë një lajm të mirë.”, ka deklaruar Dade.

Emri i deputetes është përfolur gjatë ditëve të fundit si një kandidaturë e mundshme për presidenten e ardhshme, po ashtu sikurse është përmendur edhe Mimi Kodheli, apo edhe deputetet e PD-së Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli.

Sot ka dështuar edhe raundi i dytë i procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, ashtu sikurse ndodhi edhe në raundin e parë që u zhvillua dje. Mësohet se raundi i tretë do të zhvillohet në seancën plenare të 27 prillit, ora 15:00. Ky është vendimi më i fundit i Konferencës së Kryetarëve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne