Shqiperia

Arta Marku e Donika Prela mbrojnë mafien e Qazim Sejdinit, zhdukin kasetën e Suel Çelës që sulmoi policin

Nëse ndokush ka besuar se me largimin e Adriatik Llallës nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm do të marrin fund shërbimet ndaj pushtetarëve dhe lidhjeve të tyre me krimin, apo korrupsioni në drejtësi, tashmë ka mbetur i zhgënjyer.

Nëse shqiptarët besuan se me emërimin e Arta Markut në krye të organit të akuzës do të marrë fund “fjetja” e dosjeve të rënda të krimit në sirtaret e Prokurorisë, tashmë janë të bindur se jo vetëm që nuk do hapet asnjë dosje, por janë mbyllur të gjitha dosjet e reja të qeveritarëve.

Pas degjenerimit të dosjeve të përgjimit të blerjes së votës në Durrës dhe Dibër, nëse shqiptarët nuk janë të bindur se dyshja Marku-Prela ia kanë me të “futur” drejtësisë në favor të krimit, kryeministrit dhe oligarkëve të tij politikë, po sjellim një shembull tjetër të freskët.

Bëhet fjalë për zhdukjen e DVD-ve me pamjet e incidentit mes Marjus-Suel Çelës dhe policisë në hyrje të tregut Agro-Ushqimor të Elbasanit dy vjet më parë, të cilat nuk gjenden në organin e akuzës, detyra e të cilit është t’i gjejë provat dhe në “vrimë të miut” jo që të humbë ato që ka.

Për përplasjen e automjetit të numrit dy të Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi dhe akuzën e tentativës së vrasjes së punonjësve të policisë, Krimet e Rënda kanë të dyshuar Suel Çelën, Klemend Xhaferrin dhe Enea Bekteshin, prapa të cilëve qëndron Sokol Sanxhaktari.

Lajmi është bërë i ditur në mënyrë jozyrtare, ndërsa prokuroria justifikohet se dosja në fjalë ka kaluar në disa prokurori, por që prej zhdukjes së pamjeve filmike nuk ka asnjë hetim nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Krimeve të Rënda.

Teksa prokuroria pret të shpallë pretencën për dosjen në fjalë, mungesa e pamjeve filmike e kompromenton rëndë organin e akuzës, duke qënë se kanë humbur pikërisht pamjet filmike që tregon se si Suel Çela godet makinën e numrit dy të policisë në Elbasan, pra prova kryesore.

Pavarësisht se gjykata deklaroi se i ka rekuperuar pamjet, me sa duket ky është një skenar i detajuar i prokurorisë dhe gjykatës për të fituar kohë dhe për të manipuluar provat.

Skandali i zhdukjes së pamjeve filmike nga dosja e prokurorisë është bërë me qëllim për të shpëtuar Suel Çelën dhe bandën e tij të krimit, ndërkohë që drejtësia e re mbetet të hetojë në kompleks këtë rast, pasi nuk bëhet fjalë thjeshtë dhe vetëm për një “humbje” të rastësishme.

E themi këtë duke parë se kush fshihet pas kësaj bande mafioze, e cila ka terrorizuar dhe terrorizon Elbasanin për vite me radhë, duke e kthyer këtë qytet në “nyjen” ku kryqëzohen të gjitha trafiqet e drogës, armëve dhe të “mishit të bardhë”.

Këtë nyje e komandon ish-kryetari socialist i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini (Lala), i cili pavarësisht se nuk kandidoi për një mandat të ri në krye të kësaj njësie vendore, vijon me një intensitet akoma më të madh të komandojë fijet e krimit dhe trafikut në këtë qytet.

Përmes Suel Çelës dhe mbi të gjitha të dhëndrrit të tij Sokol Sanxhaktari dhe banditët e tjerë, Qazim Sejdini ka marrë peng qytetin e Elbasanit, duke u kthyer në një “padrino” i vërtetë në “kërthizë” të Shqipërisë.

Pavarësisht se kanë qënë dhe janë nën hetim për disa vepra kriminale, për pasuri të paligjshme dhe për krime ndaj policisë së shtetit, gjithnjë dhëndrri i “Lalës”, Sokol Sanxhaktari, Petrit Çela dhe djali i tij Marjus Suel Çela, ia kanë dalë të mbeten jashtë dyerve të burgut.

Skandali më i fundit i Prokurorisë që “zhduk” pa nam dhe nishan pamjet ku Suel Çela sulmon makinën e numrit dy të Policisë së Elbasanit, janë shembulli më i qartë se si funksionon kjo bandë mafioze, e cila ka mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Arta Markut e Donika Prelës./Pamfleti/

OPINIONE