Artisti turk, Ahmet Yeşil: Njerëzit e kulturës me gjuhën e tyre ulin sadopak tensionet që jetojmë

Në ambientet e Universitetit të Arteve në Tiranë, Ambasada e Turqisë në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Bukura është çelur ekspozita me temë “Zëra dhe Gjurmë” e piktorit të njohur turk, Ahmet Yeşil.

Të pranishëm në aktivitetin e hapjes së ekspozitës ishin ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë, artistë, studentë dhe artdashës të kryeqytetit.

Në fjalën e tij, ambasadori Yörük tha se kjo ekspozitë tregon që arti nuk ka kufij. “Kjo ekspozitë që është hapur sot në Tiranë do të hapet më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo tregon edhe njëherë fuqinë bashkuese të artit, për artin nuk ka kufij. Kjo ekspozitë është pasqyrim që të gjitha ato vlera artistike dhe estetike që kanë ndarë popujt tanë në shekuj vazhdojnë të ruhen edhe sot në nivele më të larta dhe më moderne”, tha Yörük.

Sipas ambasadorit turk, piktori Ahmet Yeşil është një artist i njohur jo vetëm brenda Turqisë, por edhe në shumë vende të botës.

Duke parë punimet e kësaj ekspozite piktori, Yeşil është unik në botë. Këto punime të piktorit Yeşil janë vepra që nuk janë realizuar nga asnjë artist tjetër në botë. Me artin e tij tepër origjinal, pikturat e tij gjejnë një vend të veçantë në koleksionet private dhe zyrtare në Turqi dhe në shumë vende të botës së zhvilluar”, deklaroi Yörük.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=gTSCl5pSZ3Y]

 

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve, Prof. Asoc. Ardian Isufi në fjalën e tij tha se Universiteti i Arteve ka bashkëpunim me universitetet turke, të cilat sipas tij do të kenë një kontribut në art, kulturë dhe edukim…

Nga ana e tij, piktori turk, Ahmet Yeşil u shpreh se në Shqipëri ka gjetur një ambient të ngrohtë nga njerëzit dhe artistët. “Përmes fuqisë time artistike shpreh mendimet dhe pikëpamjet e mia, botën përreth, për të sjellë copëza jete nga e gjithë njerëzimi. Zëra dhe gjurmë erdhi pas një viti pune. Shqipëria më ka lënë mbresa. Arti është ai që i bashkon të gjithë njerëzit. Në botën e sotme më tepër probleme, me shumë konflikte vetëm artistët dhe njerëzit e kulturës me gjuhën e tyre do t’i ulin sadopak tensionet që jetojmë. Mes artdashësve shqiptarë kam parë forcën e magjishme të artit dhe kulturës. Këtu mes njerëzve të dashur kam kuptuar edhe një herë se sa i fuqishëm është arti dhe kultura në botën tonë”, tha Yeşil.

Duke folur për ekspozitën, Yeşil theksoi se ekspozita “Zëra dhe Gjurmë” është e 129-ta që ka hapur.

Zërat janë të gjithë zërat e njerëzve që kanë ardhur dhe do të vizitojnë këtë ekspozitë, ndërsa gjurmët janë ato që do të ngelin në mendimet dhe ndërgjegjen e vizitorëve. Dëshiroj që këtë ekspozitë ta vizitojnë sa më shumë zëra dhe këto zëra kur të ndahen nga ekspozita të shoqërohen me sa më shumë gjurmë”, përfundoi Yeşil.

Ekspozita “Zëra dhe Gjurmë” përmban rreth 26 piktura të frymëzuara nga jeta dhe që përfaqësojnë artin abstrakt.

Ekspozita organizohet nën kujdesin Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Shqipërisë. Ajo vjen e kuruar nga Orlis Vathi dhe Lindar Muça dhe do të qëndrojë e hapur deri më 5 mars./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne