“Askush nuk do të ndalet në këtë vend të varfër” as refugjatët sirianë nuk e duan Shqipërinë

Nëse vërtet në Shqipëri do të ngrihen kampe për refugjatët, për ta do të jetë një zhgënjim. Të paktën kjo kuptohet nga një shkrim i AFP, që ka intervistuar disa sirianë që iu është dashur të ndalojnë në vendin tonë.

Jo vetëm se Shqipërinë, sirianët e shohin si një pjesë të rrugëtimit të tyre drejt Bashkimit Europian, por për ta, ky është një “vend i varfër”, që nuk ia shpërblen rrugën e gjatë e plot mundime larg luftës.

“Shqipëria është zgjidhja e vetme që refugjatët të shkojnë më tej” ka thënë Guuan Belei, refugjati 28 vjeçar për gazetaren e AFP-së. Ai ka mbërritur në Shqipëri në mes të qershorit dhe po qëndron në qendrën e ngritur për ta në Tiranë.

Belei e ka kryer aplikimin për azil, por nuk e fsheh se “njësoj si për të gjithë të tjerët, Shqipëria shihet si një portë hyrëse, pasi Serbia dhe Maqedonia i kanë mbyllur kufijtë”.

“Shumë prej nesh kërkojmë azil në Shqipëri, pasi gjatë kohës që kryhen procedurat marrim kohë për të gjetur ndonjë zgjidhje si të kalojmë në Malin e Zi, ose në Bosnjë dhe prej andej në Gjermani, Danimarkë ose në ndonjë vend tjetër”, ka thënë 28 vjeçari.

AFP shkruan se grupe emigrantësh qëndrojnë në ndërtesën e vënë në dispozicion për ta, kurse të tjerë dalin për të kërkuar rrugë të reja kalimi drejt Malit të Zi.

Një çift sirianësh nga Afrin tregojnë se iu është dashur të lënë pas vajzën e tyre tre vjeçare, për shkak se udhëtimi ishte shumë i rrezikshëm. Ndërsa tregojnë fotot, 26 vjeçarja, Berivan Alus dhe bashkëshorti i saj, Asmar thonë se iu është dashur të kalojnë “fusha, male, lumenj” në këmbë apo në varka të vogla, “në baltë apo në shi”.

Për të arritur kufijtë e Shqipërisë i kanë paguar emigrantëve 10 mijë dollarë, por këtu po qëndrojnë vetëm për “të marrë kohë”, sa të gjejnë një rrugë për të vazhduar më tej.

“Ka nga ata që kanë frikë nga trafikantët dhe për këtë arsye nisen në këmbë, të udhëhequr nga GPS” tregon një 29 vjeçar i quajtur Kasim Yaakoum. Sepse “askush nuk do të qëndrojë në këtë vend të varfër, në Shqipëri” shton shoku i sirian, Jaser Alnablis, 22 vjeç.

AFP shkruan se të hënën, Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian u takuan të hënën në Bruksel për çështjen e negociatave. Bosnjia, shteti i fundit në rrugën drejt vendeve të BE-së, po përballet me një fluks në rritje të emigrantëve.

Mali i Zi ka nisur të shqetësohet për kalimet në kufirin me Shqipërinë. Por Tirana, që shpreson të hapë negociatat me BE-në, insiston se do të arrijë t’ia dalë, pavarësisht numrit të refugjatëve që hyjnë në territorin e saj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne