Asnjë pelegrin nuk është infektuar me koronavirus gjatë haxhit

Ministria e Shëndetësisë e Arabisë Saudite ka deklaruar se asnjë pelegrin që ka marrë pjesë në haxhin e këtij viti nuk është infektuar me koronavirus deri më tani.

Rituali mysliman, i cili filloi të martën dhe përfundon të dielën, zakonisht tubon mbi dy milion njerëz, por pas përhapjes së koronavirusit, autoritetet saudite u detyruan t’ua ndalojnë haxhillëkun shtetasve të huaj këtë vit.

Shteti i përzgjodhi 1,000 pelegrinë vendas dhe të huaj që banojnë në këtë vend mes moshave 20 dhe 50-vjeçare dhe vendosi karantinë dyjavore para haxhillëkut, i testoi ata, u mbajti trajnime për distancë sociale dhe e vëzhgoi gjendjen e tyre, tha Dr. Abdullah Assiri, ndihmës i zëvendësministrit të Shëndetësisë.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e përgëzoi Arabinë Saudite të enjten për hapat që i ka marrë për parandalimin e përhapjes së virusit, duke i cilësuar ata si shfaqje e fuqishme e llojit të masave që shtetet mund dhe duhet t’i marrin për t’u përshtatur me normalen e re./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne