Astrit Patozi shpall kandidaturën për kreun e PD

Astrit Patozi shpall kandidaturën për kreun e PD-së. Vendimi u bë publik në një dalje për mediat pasditen e së shtunës. Kështu Patozi, një ndër figurat më me peshë dhe eksperiencë politike në PD, iu bashkua garës për kreun e kësaj force.

Në deklaratën e tij Patozi tha se hyri në garë në kushtet e mosdaljes së një kandidature tjetër të vërtetë dhe serioze “në rast se do të ketë garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pandikuara”. Aio listoi një sërë kërkesash që nisin nga dorëheqja e kryetarit të vetëngrirë Basha, anulimin e vendimeve të dy nënkryetarëve dhe futjen e garës në shina të ligjshmërisë dhe garancisë.

Në rast se këto kërkesa (lexo të plota në fund të lajmit) nuk plotësohen, Patozi tha se Basha “do të marrë të gjithë përgjegjësinë për hedhjen në erë të së vetmes mundësi për nxjerrjen nga kriza të Partisë Demokratike, për shkak të atij vetë. Nëse kjo ndodh, çdo anëtari të Partisë Demokratike i lind e drejta të refuzojë dhe të mos lejojë me të gjitha mjetet demokratike një farsë elektorale, e cila synon grabitjen në tavoline të mandatit të kryetarit nga zoti Lulzim Basha”- tha Patozi.

Pas rezultati të dobët të PD-së në zgjedhje, kreu i saj Lulzim Basha ngriu funksionet e tij deri në datën 22 korrik kur do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri. Për kreun e PD-së kandidojnë 3 kandidatë, Patozi, Basha dhe Selami. Patozi u la jashtë nga listat e kandidatëve për deputetë dhe së bashku me disa figura të njohura të PD-së, dolën në kampin e “rebelëve” të cilat kërkonin dorëheqjen kryetarit Basha.

Astrit Patozi me kandidimin e tij, kërkon edhe mbështetjen e grupit “rebel” brenda PD-së të cilët edhe më herët kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës. Do të jetë 22 korriku data që do të vendosë së cili nga 3 kandidatë në garë për kreun e PD, do të shpallet fitues./ Lapsi.al

DEKLARATA E PLOTE

I shqetësuar për rezultatin dramatik të PD në këto zgjedhje dhe i bindur se ringritja e saj mund të ndodhë vetëm pas një proces​i të ndershmëm reflektimi dhe nje gare të drejtë, jam ketu sot që të marr të gjitha përgjegjësitë e mia në funksion të këtij qëllimi.

I mbështetur nga një numër shumë i madh anëtarësh dhe drejtuesish të Partisë Demokratike në vite dhe i vendosur në kushtet e mosdaljes së një kandidature tjetër të vërtetë dhe serioze, deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj për kryetar te Partisë Demokratike, në rast se do të ketë garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pandikuara.

Në emër të mijëra demokratëve, që më mbështesin në këtë sfidë, kërkoj, as më shumë dhe as më pak, por rregulla të pastra loje:

1-Dorëheqje të menjëhershme dhe jo ngrirje të kryetarit Lulzim Basha, si përgjegjësi kryesor për rezultatin zhgënjyes në këto zgjedhje. Vendosjen e tij në pozitën e cdo kandidati tjetër, që do të futet në garë, si kushti minimal për paritet. Largimin e tij nga zyra bashkë me stafin e vet dhe çlirimin e selisë nga prania e të gjithë kandidatëve deri sa të përfundojë procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.

2. Normalizimin statutor të procesit të garës, duke bërë nul veprimet e deritanishme jolegjitime, përmes vendimit të dy nënkryetarëve. Kryesia është i vetmi organ statutor që ka të drejtë të deklarojë garën dhe të garantojë barazinë në të. (neni 30, pika 2 e Statutit);

3. Sekretari i Përgjithshëm duhet të marrë nën kontroll database-n e antarësisë, duke garantuar rregullin e kahershëm në PD që të gjitha anëtarësimet e 2 muajve të fundit (nga data 1 qershor 2017) si dhe të gjitha anëtarësimet e bëra në kundërshtim me statutin ( pa një vendim të mbledhjes së seksionit apo kryesisë së degës apo kryesisë qëndrore, Neni 13 i Statutit) të mos kenë të drejtën e votës në këto zgjedhje. Listat e zgjedhësve duhet t’u jepet kandidatëve, jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e garës, Ato duhet të publikohen e afishohen në mënyrë elektronike në ëeb-in e kryesisë së degës e në hard copy në ambjente publike të selisë së degës së PD;

4. Kërkohet kohë e mjaftueshme debati, analize dhe reflektimi, si dhe të bërit fushatë për të gjithë kandidatët.

5. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (neni 46 i Statutit) duhet të kryesohet nga një prej sekretarëve funksionalë (Organizim apo Burime Njerëzore) dhe duhet të ketë anëtarë në numër të barabartë në përbërje prej kandidatëve në garë. Ky komision duhet të hartojë dhe publikojë rregulloren e fushatës elektorale, e cila mungon për shkak të mosmiratimit nga Këshilli Kombëtar (Neni 37 i Statutit). Kjo rregullore duhet të garantojë akses të barabartë të kandidatëve në administrimin dhe vendimmarrjen e procesit të zgjedhjeve.

6. Në bazë të nenit nr. 30, pika 2 e statutit, kryesia duhet të ngrejë një komision për auditimin e procesit të garës në të gjitha elementet organizative të saj. Ky komision, i kryesuar nga Sekretari i Pergjithshëm, duhet të ketë në përbërje të tij një numër të njëjtë anëtarësh nga kandidatët e mundshëm në garë.

KomisionI duhet të autorizohet nga kryesia, që të ushtrojë edhe atributet e Komisionit Qëndror të Apelimit (neni.47) përderisa ky komision nuk ekziston, sepse nuk është zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

Sipas nesh, këto kërkesa janë garancitë minimale që të shkohet në një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës në zgjedhjet e brendshme në PD.

Ndaj pas këtij parashtrimi,

ftoj zotin Lulzim Basha që të dalë mbi ambiciet personale dhe të vendosë fatin dhe të ardhmen e Partisë Demokratike mbi interesat e tij të momentit. Jam gati të punoj me të për një garë reale që synon rimëkëmbjen e shpejtë të Partisë Demokratike.

Por, në rast se kërkesat tona të drejta për një garë reale nuk do të plotësohen, ai do te marrë të gjithë përgjegjësinë për hedhjen në erë të së vetmes mundësi për nxjerrjen nga kriza të Partisë Demokratike, për shkak të atij vetë.

Nëse kjo ndodh, çdo anëtari të Partisë Demokratike i lind e drejta të refuzojë dhe të mos lejojë me të gjitha mjetet demokratike një farsë elektorale, e cila synon grabitjen në tavoline të mandatit të kryetarit nga zoti Lulzim Basha.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne