‘Ata bombarduan civilët e bllokuar’: Raporti i Amnesty International mbi shkatërrimin e Rakës nxin Anglinë, SHBA-në dhe Francën

Sipas Amnesty International, bombardimet e Anglisë, SHBA-së dhe Francës shkaktuan shumë viktima civile në Rakan e kontrolluar nga ISIS. Një raport i ri akuzon forcat e koalicionit mbi bombardimet e zonave në të cilat dihej e sigurt që mbaheshin të bllokuar civilët.

Gjatë operacionit katër mujor për të spastruar Shtetin Islamik (IS, ish ISIS) në qytetin sirian të Rakas, koalicioni i udhëhequr nga SHBA, ku përfshiheshin edhe forcat britanike, vrau qindra civilë dhe plagosi shumë më tepër, thotë Amnesty International.

Sipas raportit të saj mbi forcat e koalicionit, banorët ndodheshin të bllokuar ndërsa luftimet vazhdonin nëpër rrugë ndërmjet militantëve të ISIS-it dhe forcave demokratike siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët të cilët mbështeteshin edhe nga sulmet ajrore të koalicionit. Shtigjet e arratisjes për civilët ishin të mbushura me mina të vendosura nga Shteti Islamik, i cili gjithashtu kishte vendosur edhe snajpera për të vrarë ata që përpiqeshin të largoheshin.

Familja e Hashishëve vetëm gjatë një periudhe dy javore të muajit gusht humbi 18 anëtarë, kryesisht gra dhe fëmijë. Një sulm ajror i aleancës vrau nëntë anëtarë, shtatë të tjerë vdiqën ndërsa po përpiqeshin të iknin nëpërmjet një shtegu të minosur nga ISIS dhe dy të tjerë u vranë nga një mortaje e gjuajtur nga SDF-ja.

“Ata që qëndruan, vdiqën; edhe ata që u përpoqën të iknin po ashtu vdiqën”, tha Munira Hashish. “Nuk mund ta përballonim pagesën e kontrabandistëve; kështu që mbetëm të bllokuar.” Hashish tha se ajo dhe fëmijët e saj përfundimisht arritën të shpëtonin duke ecur vetëm nëpër një fushë të minuar “duke ecur mbi gjakun e atyre që ishin hedhur në erë ndërsa përpiqeshin që të iknin përpara nesh”.

Donatella Rovera, këshilltare e lartë për krizat në Amnesty International po i bën thirrje forcave të koalicionit për të nisur një hetim mbi fushatën e bombardimeve që e la Rakën të rrënuar.

“Kur kaq shumë civilë janë vrarë sulm pas sulmi, diçka është qartësisht e gabuar dhe si për ta bërë këtë tragjedi edhe më keq, shumë muaj më vonë ende incidentet nuk janë hetuar. Viktimat e meritojnë drejtësinë, tha ajo”

“Pretendimet e koalicionit se fushata ajrore precize e lejoi atë që të bombardonte ISIS-in në Raka dhe duke shkaktuar shumë pak viktima civile nuk qëndrojnë. Në terrenin e Rakas ne kemi dëshmuar një nivel shkatërrimi të krahasueshëm vetëm me luftërat qe kanë vazhduar me dekada”, vazhdoi ajo.

“Sundimi brutal katërvjeçar i ISIS-it në Raka ishte i mbushur me krime lufte. Por shkeljet e bëra nga ISIS, duke përfshirë edhe përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore lufte, nuk e shfajësojnë koalicionin nga detyrimet që kishin për të minimizuar dëmet ndaj civilëve.

“Ajo që e rrafshoi qytetin, që vrau dhe plagosi aq shumë civilë ishte përdorimi i përsëritur i armëve shpërthyese nga ana e koalicionit të udhëhequr nga SHBA në zonat e banuara ku dihej që civilët ndodheshin të bllokuar”.

Rovera shtoi se niveli i rrënimit dhe shkatërrimit në Raka ishte më i rendë se çdo gjë që kishin parë në dekada, duke cituar një oficer të lartë ushtarak amerikan duke thënë se “më shumë predha artilerie ishin hedhur në Raka sesa kudo tjetër që prej përfundimit të luftës së Vietnamit”.

Raporti i Amnesty International i bazuar në 112 intervista dhe vizita në 42 vende të bombarduara, tashmë është kritikuar ashpër nga një zëdhënës i koalicionit – madje edhe para se të publikohej.

Forcat amerikane kanë hedhur në Raka 100 për qind të predhave të artilerisë të caktuara për qytetin dhe mbi 90 për qind të bombave të cakuara për tu hedhur nga forcat ajrore. Edhe aeroplanët britanikë dhe francezë u përfshinë në sulme, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka pranuar se ka kryer 275 sulme ajrore. Britania e Madhe pretendon se asnjë civil nuk u vra si rezultat i bombardimeve britanike.

Grupi i të drejtave të njeriut pohon se ka prova të forta se sulmet ajrore të koalicionit dhe goditjet e artilerisë vranë dhe plagosën mijëra civilë, duke përfshirë sulmet joproporcionale ose pa dallim që shkelnin ligjet ndërkombëtare humanitare. Pavarësisht premtimeve se humbjet e jetëve të civilëve do të hetoheshin tërësisht nga forcat e koalicionit, Amnesty thotë se nuk ka shenja se kjo mund të ndodhë.

Benjamin Walsby, hulumtues i Lindjes së Mesme në Amnesty International ka vënë në pikëpyetje atë se përse koalicioni ndjeu nevojën për ta bombarduar qytetin në nivelin gërmadhë, kur “koalicioni dhe SDF-ja në fund të fundit do t’i jepnin luftëtarëve ISIS-it një kalim të sigurt mosndëshkues.” Ai shtoi:

“Cila ishte përparësia ushtarake që u desh të shkatërrohej praktikisht një qytet i tërë dhe të vriteshin kaq shumë civilë?

“Civilët e Rakas po kthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara për të nxjerrë të dashurit e tyre nga gërmadhat dhe po përballen me vdekjet ose me lëndimet e minave si dhe nga municionet e pashpërthyera”, tha Walsby. “Refuzimi i koalicionit për të pranuar rolin e tij në krijimin e kësaj situate katastrofike është një ofendim që i lendon edhe me tej plagët”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha:

“Objektivi i kësaj fushate ishte mbajtja e Britanisë së sigurt nga kërcënimi i terrorizmit. Gjatë gjithë fushatës ne kemi qenë të hapur dhe transparent, duke detajuar secilin prej atyre 1.700 sulmeve tona dhe kemi konfirmuar edhe kur ka pasur viktima në civilë.

“Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të minimizuar rrezikun e humbjes së jetëve të civilëve përmes proceseve tona të rrepta të targetimit dhe profesionalizmit të ekipeve të forcave tona, por duke pasur parasysh sjelljen e pamëshirshme dhe çnjerëzore të Daeshit, mjedisin urban të komplikuar në të cilin vepruam, ne pranojmë se rreziku i shkaktimit të viktimave civile pa ndonjë qëllim ka qenë gjithmonë i pranishëm”.

Koloneli i ushtrisë amerikane Sean Ryan i ka mohuar akuzat e bëra nga Amnesty International mbi bombardimet joproporcionale dhe vrasjet e paligjshme.

“Unë mendoj se i kemi shërbyer popullit të Rakës në mënyrën më të mirë sipas aftësive tona. Luftuam kundër një armiku që ka përdorur taktika që askush nuk dyshonte se do të përdoreshin”, tha Ryan. “Ne jemi ata që e çliruan Rakën dhe kjo nuk mund të bëhej pa një çmim. Por kjo është një kohë lufte dhe ndonjëherë edhe ndodhin këto gjëra. Ne mundohemi të bëjmë të pamundurën vetëm për të shmangur dhe ruajtur civilët e pafajshëm”./globalresearch/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne