Atentati në Shkodër ndaj kreut të Policisë Bashkiake, ja pista ku po hetohet. Autorët ishin dy, detajet e reja

Kreu i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj duke u ndalur tek atentati që iu bë një të dielën kreut të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj, ku i plagosur mbeti vetë 39-vjeçari dhe babai i tij, tha se nga hetimet e deritanishme përjashtohet mundësia që motiv të jetë bërë detyra e Hasanajt.

Sipas drejtuesit të lartë të Policisë Kriminale, dyshimet janë se kemi të bëjmë me një konflikt pronësie.

“Kjo ngjarje është ndjekur nga Policia e Shkodrës dhe në një kohë rekord është bërë e mundur që të sigurohen prova jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne kemi marrë deklarime në kushte spitalore edhe babait edhe shefit të Policisë Bashkiake dhe paraprakisht përjashtohet një motiv që lidhet me detyrën e tij, deri në këto momente që hetojmë. E vërteta është që akoma në mënyrë të plotë nuk është sqaruar motivi i kësaj ngjarjeje,  dyshohet për një konflikt pronësie, por që nuk është sqaruar në mënyrë përfundimtare”.

Vocaj sqaroi edhe se, ndonëse autori i dyshuar i ngjarjes 19-vjeçari Ilirjan Hasanaj, i cili është shpallur në kërkim, ka të njëjtin mbiemër, ai nuk ka lidhje fisnore me të plagosurit.

“Edhe autori dhe të plagosurit, rezultojnë me të njëjtin mbiemër, por nuk kanë lidhje të afërta me njëri-tjetrin. Jemi duke hetuar në këtë drejtim. Por ne pretendojmë që nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës e kemi dokumentuar plotësisht përfshirjen e këtij autori në këtë krim. Kemi hedhur baza të mira për të identifikuar në mënyrë të plotë edhe bashkautorin tjetër që ka qenë bashkë me të dhe shpresoj që në ditët që do të vijnë do të kemi rezultate më të mira në këtë hetim. Ndjekja që është bërë i rastit nga strukturat e Policisë Vendore Shkodër ka qenë jashtëzakonisht i shpejtë dhe profesional me përfshirjen e një numri të madh të punonjësve të policisë”./Tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne