Atentati në Sukth/ Dalin detaje të reja, përse Juxhin Dauti kishte dalë pa eskortë ditën e vrasjes

  • Pak ditë pas atentatit të ndodhur tek “Mbikalimi i Sukthit”, ku u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi ish-efektivi Ervin Dalipaj dhe 27-vjeçari Juxhin Dauti, policia dhe prokuroria e Durrësit kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Burime nga grupi hetimor bënë me dije se nga hetimet e bëra ka rezultuar se kohët e fundit i riu Dauti strehohej në një hotel luksoz, në qytetin bregdetar.

Mësohet se 27-vjeçari, i cili është akuzuar për një vrasje në Vlorë në vitin 2012 dhe që më pas është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit dilte gjithnjë i shoqëruar nga dy automjete. Sipas hetuesve të çështjes, për shkak të hasmërive që kishte, Juxhin Dauti prej kohësh shoqërohej me eskortë. Fakti që ditën e atentatit dy viktimat kanë lëvizur të pambrojtur ka intriguar grupin hetimor. Marrja në pyetje e familjarëve të Juxhin Dautit pritet të hedhë dritë mbi personat që e ruanin atë dhe 38-vjeçarin Dalipaj. Gjithashtu, nga marrja në pyetje e të afërmve pritet të merret informacion se përse ditën e ngjarjes ata lëvizën pa eskortë, duke rënë në pritën vdekjeprurëse të atentatorëve. Ndërkaq, mësohet se prokuroi i çështjes së ekzekutimit mafioz, Drini Pali, u ka dërguar një sërë bizneseve në rrugën dytësore Maminas-Shijak-Durrës kërkesën për të dhënë pamjet filmike të kamerave të sigurisë në këtë segment rrugor.

Ndonëse hetimet po vazhdojnë me intensitet, policia dhe prokuroria e Durrësit ende nuk kanë persona të dyshuar në lidhje me atentatin e ndodhur pasditen e së martës. Ndërkaq, burimet e mësipërme pohuan se marrja e pamjeve filmike mund të hidhte dritë mbi atentatorët dhe itinerarin e tyre.

Aktualisht po bëhet krehja e të gjithë zonës së Shijakut për identifikimin e personave që kanë më shumë dijeni në lidhje me aktivitetin e Ervin Dalipajt dhe të Juxhin Dautit. Sipas hetuesve, pronarët e bizneseve afër vendit ku ndodhi ngjarja hezitojnë të japin pamjet filmike të kamerave të sigurisë, pasi kanë frikë nga organizatorët e atentatit ndaj 38-vjeçarit Dalipaj dhe 27-vjeçarit Dauti.

Hetimet

Sipas burimeve nga grupi hetimor, nisur nga skena dhe dinamika e krimit me dy automjete, dyshohet që pjesëmarrës në atentat të kenë qenë jo më pak se tre persona.

Në automjetin e parë “BMë X5”, kanë qenë dy persona, shoferi dhe pasagjeri, i cili ka qëlluar me kallashnikov nga xhami i parë i mjetit në drejtim të makinës tip “Audi S8”, në të cilën udhëtonin Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti.

Edhe në automjetin e dytë dyshohet se kanë qenë dy persona, por hetuesit e kanë të vështirë të përcaktojnë më shumë detaje, për shkak se filmimet e siguruara nuk tregojnë numrin e personave që morën pjesë në vrasjen e dyfishtë dhe as identitetin e tyre.

Hetuesit e çështjes pohuan se telefonat e gjetur në automjetin e viktimave janë duke u ekzaminuar për të parë e kontrolluar thirrjet telefonike të bëra prej tyre, para atentatit. Kompanive celulare u është kërkuar që në mënyrë urgjente të nxjerrin tabulatet telefonike. Fakti që dy viktimat janë larguar vetëm pak minuta pasi janë takuar me dy vajzat nga Tirana dhe nuk kanë qëndruar gjatë me to, pavarësisht se ato ishin të lira, apo që nuk kanë drekuar me to, por janë larguar me shpejtësi, dyshohet se dikush mund t’i ketë marrë në telefon. /GSH/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne