Australi, gjenden 5 trupa të pajetë në një shtëpi

Në një shtëpi në qytetin Perth në perëndim të Australisë janë gjetur trupat e pajetë të 5 anëtarëve të një familjeje, përkatësisht 3 fëmijë, nëna dhe gjyshja e tyre.

Në një deklaratë nga policia e Australisë Perëndimore thuhet se në një shtëpi në rrugën Bedford janë gjetur trupat e pajetë të binjakëve 2 vjeçarë Alice dhe Beatrix, motrës së tyre 3,5 vjeçare Charlotte, nënës 47 vjeçare Mara Lee Quinn dhe gjyshes 74 vjeçare Beverley Quinn.

Policia ka konfirmuar se 5 anëtarët e familjes janë vrarë dhe se një i dyshuar 24 vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është marrë në pyetje me akuzën për vrasje dhe se është nxjerrë para gjykatës.

Më tej thuhet se personi në fjalë pas rastit është dorëzuar në polici, ndërkaq policia nuk ka dhënë informacione për lidhjen apo afërsinë familjare të të dyshuarit me viktimat.

Sipas mediave lokale i dyshuari jetonte në të njëjtën shtëpi me viktimat.

Drejtori i policisë së Australisë Perëndimore, Paul Steel Paul nuk dha informacione në lidhje me mënyrën e vrasjes. “Kjo nuk është tragjike vetëm për familjen dhe miqtë e tyre, por në të njëjtën kohë është tragjike edhe për ekipet e ndihmës së parë të cilët u detyruan të bëjnë ndërhyrjen e parë për rastin”.

Rasti i tretë që nga muaji maj

Më parë edhe në një shtëpi në rrugën Osmington të qytezës turistike Margaret River në Australinë Perëndimore ishin gjetur trupat e pajetë të 7 personave, 4 prej tyre fëmijë. Ky rast ndodhi në maj, ndërkaq më pas u zbulua se gjyshi kishte vrarë bashkëshorten, vajzën dhe 4 nipërit/mbesat e tij dhe më pas ishte vetëvrarë.

Ndërsa në korrik në një shtëpi në Ellenbrook, në veri të Perthit ishin gjetur kufomat e një nëne me dy fëmijët e saj. Ndërkaq i biri i nënës së vrarë, i cili u identifikua se është autor i vrasjeve, ishte arrestuar.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne