Australi, reshjet pjesërisht shuan zjarret, por sjellin rrezikun nga përmbytjet

Shira dhe stuhi të mëdha kanë goditur pjesën e bregdetit lindor të Australisë, duke shuar disa zjarre por duke sjellë njëkohësisht një kërcënim të ri për përmbytje në zona të caktuara.

Të reshurat u regjistruan në shtetet Victoria, Uellsi i Ri Jugor dhe Queensland, të cilat janë prekur në masë të madhe nga zjarret, raportoi BBC.

Për shkak të kushteve të motit, rrugët kryesore në Queensland janë mbyllur, kurse ndërprerje të energjisë elektrike u raportuan në pjesë të Uellsit të Ri Jugor.

Zjarrfikësit thonë se shiu po ndihmon në shuarjen e zjarreve.

Zjarret në Australi kanë qenë aktive që nga shtatori, duke lënë të vdekur të paktën 28 ​​njerëz deri më tani dhe duke shkatërruar qindra shtëpi.

Në Uellsin e Ri Jugor janë regjistruar reshje shiu dhe stuhi në disa zona dhe është dhënë një paralajmërim për përmbytje të mundshme.

Zjarrfikësit në zonë thanë se ata shfrytëzuan maksimumin e kushteve të favorshme të sjella nga shiu dhe temperaturat më të ulëta dhe u përpoqën të shuanin zjarret e mbetura. Rreth 75 zjarre janë akoma aktive në këtë shtet, që është një rënje për 100 nga disa ditë më parë.

Queensland është goditur nga reshjet më të mëdha në muajt e fundit. Disa rrugë kryesore janë të mbyllura dhe zonat janë përmbytur. Megjithatë, nuk ka asnjë informacion për viktima ose të plagosur.

Meteorologët në Victoria kanë njoftuar stuhi të mundshme.

Zjarret e mëdha vazhdojnë të jenë aktive në zonat në jug dhe juglindje të vendit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne