Australia do ti bashkohet koalicionit amerikan në Ngushticën e Hormuzit

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison tha se vendi i tij do të marrë pjesë me një avion vëzhgues dhe një anije luftarake në koalicionin që do të krijohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Ngushticën e Hormuzit.

Vendimin e qeverisë për Ngushticën e Hormuzit Morrison e publikoi në konferencën për shtyp që organizoi në Parlamentin Federal, në kryeqytetin e vendit Kanberrë, bashkë me ministren e Mbrojtjes Linda Reynolds dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Angus Campbell.

Morrison tha se koalicionin që do të krijohet nën udhëheqjen e ShBA-së dhe Anglisë do ta mbështesin me një avion vëzhgues dhe një anije luftarake, pasi garantimi i lëvizjes së lirë të cisternave të naftës është në interesin e Australisë.

“Kufizimi i transportit në rajon përbën një kërcënim për interesat kombëtare të Australisë. Domethënë është një kërcënim potencial për ekonominë tonë”,- nënvizoi Morrison.

Ministrja e Mbrojtjes, Linda Reynolds, e cila në konferencën e shtypit ishte në krah të Kryeministrit Morrison, tha nga ana e saj se roli i Australisë në Ngushticën e Hormuzit do të jetë i kufizuar vetëm me ruajtjen e rrugëve të transportit (detar), kurse në avionin vëzhgues dhe anijen luftarake që do të marrin pjesë në koalicion do të angazhohet gjithsej një efektiv ushtarak prej 200 vetësh./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne