Bota

Austri, kritikohet propozimi për ndalimin e shamisë

Qytetarët e Austrisë kanë reaguar ndaj propozimit për ndalimin e shamisë nga ish-kancelari Sebastian Kurz, si një premtim zgjedhor në kulmin e fushatës parazgjedhore në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 29 shtator.

Kurz, që është kryetar i Partisë Popullore të Austrisë (OeVP) dhe që është i njohur për qëndrimin e tij islamofobik, ka premtuar se nëse fiton, do të ndalojë shamitë për nxënësit e shkollave të mesme dhe për mësueset.

Sipas sondazheve aktuale të opinionit publik, partia e Kurz-it do të marrë 35 për qind të votave dhe do të formojë një qeveri koalicioni.

Në Austri jetojnë rreth 800 mijë muslimanë dhe ky premtim zgjedhor ka ngjallur shqetësime në shoqëri.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Austrisë (IGGO), Ümit Vural, për AA tha se liria e fesë është e garantuar me ligjet e vendit dhe ndalimi i shamisë është i papranueshëm.

Vural tha se shamia është një obligim fetar për femrat muslimane dhe nuk mund të jetë pjesë e debateve politike.

Sonia Zaafrani, kryetare e ‘Think-tank’-ut “Iniciativa për shkollim pa diskriminim” (Initiative for Discrimination-Free Education), tha se argumentet në lidhje me shaminë synojnë që ta shpallin si krim një akt fetar.

“Shumë hulumtime të bëra vitet e fundit tregojnë se pakica muslimane, në mesin e vendeve evropiane, vuan më së shumti nga diskriminimi në Austri”, tha ajo.

Zaafrani tha se ndalesa për shaminë është kundër të drejtave të njeriut dhe është e papranueshme që të ndërlidhet mbajtja e shamisë me islamin politik.

Publicisti dhe aktivisti, Wilhelm Langthaler gjithashtu tha se Kurz po përpiqet që të sjellë çështjen e shamisë dhe emigracionit në krye të axhendës në mënyrë që të fshehë problemet ekonomike dhe sociale.

“Duhet të bëhen përpjekje më të fuqishme që të mbrohen të drejtat themelore siç janë liria e fesë dhe liria e mendimit”, shtoi ai./AA

OPINIONE