Austri, opinionistët dënojnë ndalesën e shamisë për muslimanet

Opinionistët thonë se ndalesa për shamitë në shkollat fillore të Austrisë është qartë diskriminues ndaj muslimanëve dhe në kundërshtim me parimet e barazisë dhe lirisë së fesë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Projektligji, i cili u miratua në Parlamentin e Austrisë më 15 maj dhe që ka të bëjë vetëm me fëmijët muslimanë, është jokushtetues, pasi që kryqi i krishterë aktualisht ndodhet në çdo shkollë të vendit ndërsa fëmijët hebrenj lejohen të mbajnë kipën, kapelë fetare”, thotë Sonia Zaafrani, udhëheqësja e Iniciativës për Arsimin pa Diskriminim (IDB).

Qeveria e ekstremit të djathtë në Austri, e udhëhequr nga kancelari Sebastian Kurz, lideri më i ri në Evropë, paraqiti një projekt ligj që ndalon mbajtjen e shamisë në fund të vitit të kaluar në Parlament, duke planifikuar ta zbatojë atë pa mbështetjen e opozitës.

Ligji ndalon shaminë për vajzat nën moshën 10 vjeçare në të gjitha shkollat fillore në të gjithë vendin, përfshirë edhe shkollat private.

Ekspertët theksojnë se ndalimi shkel parimet themelore të Traktatit të Shtetit Austriak të vitit 1955 dhe kushtetutën.

Zaafrani theksoi se ndalimi i shamisë, që është një shkelje e madhe e të drejtave të njeriut, shkel të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e njeriut.

“Për rreth tre vite ne i bëjmë thirrje qeverisë austriake për zbatimin e plotë të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në sistemin e arsimit. Megjithatë, qeveria mori drejtimin e kundërt me ligjet në fjalë”, tha Zaafrani.

“Ky ligj ndikon në jetën arsimore të fëmijëve dhe mundësitë e arsimit në kushte të barabarta në mënyrë negative dhe promovon diskriminimin duke çuar në margjinalizim dhe përjashtim”.

Veçmas, kreu i Bashkësisë Islame në Austri, Umit Vural, gjithashtu e dënoi ndalimin, duke e përshkruar si “një ditë të zezë për demokracinë austriake”.

Duke nënvizuar se diskriminimi kundër muslimanëve vazhdon, Vural tha: “Ndalimi për mbajtjen e shamisë mohon të drejtat themelore të vajzave muslimane dhe prindërve të tyre”.

Në Austri jetojnë rreth 700 mijë muslimanë, prej të cilëve rreth 300 mijë me origjinë turke. Shumica prej tyre janë shtetas austriakë të brezit të dytë ose të tretë të familjeve turke që migruan në vitet 1960.

Në mes të frikës së përhapur nga kriza e refugjatëve dhe terrorizmi ndërkombëtar, partitë e krahut të djathtë të Austrisë propozuan disa masa të diskutueshme, përfshirë kontrollet strikte mbi xhamitë dhe shoqatat muslimane dhe mbylljen e menjëhershme të tyre në rast të ndonjë veprimtarie të dyshimtë.

Në tetor të vitit 2017, Austria vendosi një ndalesën të ferexhes në të gjitha vendet publike./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne