“Autizmi vjen nga vaksinat”/ Dikur i varur nga droga, kush është sekretari amerikan i shëndetësisë që ka zgjedhur Trump

Sekretari amerikan i shëndetësisë mbikëqyr gjithçka, nga siguria e ushqimit deri te kërkimet mjekësore dhe programet e mirëqenies. Po mbetet një pyetje e hapur shkruan BBC sesa i kualifikuar është Robert F Kennedy Jr, emri që Donald Trum propozoi si sekretar shëndetësie, duke pasur parasysh qëndrimin e tij skeptik për vaksinat. Në një intervistë vitin e kaluar, ai tha: “Unë besoj se autizmi vjen nga vaksinat.”

Agjencia Kombëtare e Shëndetit Publik të Amerikës, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, është një nga organet që Kennedy do të mbikëqyrë nëse emërimi i tij konfirmohet. Kennedy në fakt ka një histori të largimit nga e vërteta dhe përhapjes së informacionit shëndetësor që shkencëtarët thonë se është i rremë. Vetë RFK Jr ka vuajtur nga një varësi nga heroina, ndërsa ish-gruaja e tij vrau veten pas një beteje me alkoolin dhe drogën.

Një skeptik i kahershëm ndaj vaksinave, Kennedy është një avokat që për dekada me radhë ka krijuar një bazë të gjerë mbështetësish që e admirojnë punën e tij për mjedisin, duke ngritur padi kundër kompanive të mëdha farmaceutike dhe të prodhimit të plehrave kimike që përdoren në bujqësi. Ai ka bërë thirrje për rregulla më të rrepta lidhur me përbërësit në artikujt ushqimor. Ndërsa u përfshi në fushatën e republikanit Donald Trump, Kennedy u përpoq të fitonte mbështetjen e nënave të reja, me mesazhin për ushqime më të shëndetshme në Shtetet e Bashkuara. Ai premtoi se do të ndiqte shembullin e rregullave evropiane për ushqimet. Ai nxori sloganin “Ta Bëjmë Amerikën të Shëndetshme Përsëri”.

Qëndrimi i Kennedy ndaj vaksinave e ka bërë atë një figurë të debatueshme mes demokratëve dhe disa republikanëve, çka ngre pikëpyetje në lidhje me mundësinë e marrjes së konfirmimit në Senatin e kontrolluar nga republikanët./sot

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress