Bota

Autoriteti Palestinez ngrin të gjitha kontaktet me Izraelin pas incidentit në Aksa

Presidenti palestinez Mahmud Abbas tha të premten se po ngrinte kontaktet me Izraelin lidhur me masat e reja të sigurisë në një vend të shenjtë shumë të ndjeshëm të Jeruzalemit, pasi përplasjet vdekjeprurëse shpërthyen më herët gjatë ditës.

Abbasi tha në një fjalim se ngrirja do të vazhdojë derisa Izraeli të heqë masat në kompleksin e xhamisë Haram al-Sharif, së cilit hebrenjtë i referohen si mali i Tempullit.

“Unë, në emër të udhëheqjes palestineze, njoftoj … një ngrirje të të gjitha kontakteve me shtetin okupator në të gjitha nivelet derisa Izraeli të angazhohet në anullimin e të gjitha masave ndaj popullit tonë palestinez në përgjithësi dhe ndaj Jeruzalemit dhe xhamisë Al-Aksa në veçanti,” tha Abbas.

Abbasi i quajti masat “të paraqitura në mënyrë të rreme si një masë sigurie për të marrë kontrollin mbi xhaminë Al-Aksa”.

Nuk ishte e qartë nëse masa do të zbatohej për koordinimin e qetë të sigurisë që ekziston ndërmjet Autoritetit Palestinez dhe Izraelit, që gjerësisht shihet se ka ndihmuar në parandalimin e një shpërthimi më të gjerë të dhunës gjatë viteve të fundit.

Të dyja palët kanë një varg kontaktesh për çështje të ndryshme, me marrëveshjet e fundit të njoftuara lidhur me ujin dhe energjinë elektrike.

Përpjekjet izraelito-palestineze për paqes kanë qenë në heshtje, pasi një iniciativë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u rrëzua në vitin 2014, ndonëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka kërkuar mënyra për të rifilluar bisedimet.

Fjalimi i Abbasit erdhi pasi tre palestinezë u vranë dhe disa qindra u plagosën të premten në përleshjet midis protestuesve dhe forcave izraelite mbi masat e reja të sigurisë në vendin e shenjtë.

Trazirat pasuan një vendim nga ministrat izraelitë për të mos urdhëruar largimin e detektorëve metalikë të ngritur në hyrje të kompleksit, që përfshinte xhaminë Al-Aksa dhe xhaminë e Kupolës së Shkëmbit, pas një sulmi rreth një javë më parë që vrau dy policë.

Në pritje të protestave të premten, policia izraelite ndaloi njerëzit nën moshën 50 vjeç të hynin në Qytetin e Vjetër në Jeruzalemin e pushtuar lindor për lutje, ndërkohë që të gjitha gratë ishin të lejuara. / © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA