Avionët gjermanë dhe amerikanë vrasin 33 gra e fëmijë

Ushtria gjermane është përfshirë në një sulm ajror me pasoja të rënda në Siri, ku humbën jetën shumë civilë.

Ishin tornadot gjermanë, ata që kanë vëzhguar objektivin e i kanë dërguar pamjet amerikanëve. Sipas hulumtimeve të televizionit ARD, tornadot gjermanë kanë fiksuar pamje të një kompleksi ndërtesash në rajonin e Sirisë, Al-Mansoura dhe ia kanë dërguar ato të ashtuquajturit koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS. Një ditë më vonë këto pamje janë përdorur për të bombarduar kompleksin e ndërtesave. Komisioni i Mbrojtjes i Bundestagut duket se është informuar për këtë incident. Por sipas të dhënave të Qendrës Vëzhguese Siriane për të Drejtat e Njeriut në këtë vend ka qenë një shkollë, e si pasojë e sulmit kanë humbur jetën 33 civilë. Ndërsa bombardimi është kryer nga avionë luftarakë amerikanë të koalicionit ndërkombëtar, ka bërë të ditur zyra siriane. Mes viktimave kanë qenë gra dhe fëmijë. Aktivistë të të drejtave të njeriut të qendrës siriane me seli në Londër i bëjnë deklaratat në bazë të pohimeve të informantëve të tyre, ku thuhet se në këtë ndërtesë ishin strehuar 40 familje. Edhe agjencia e lajmeve siriane, Sana ka bërë të ditur, se në një sulm ajror amerikan në afërsi të Al-Mansouras, pranë bastionit të ISIS-it, Raka, kanë humbur jetën dhjetëra gra dhe fëmijë sirianë. Nga ana e saj ushtria amerikane ka bërë të ditur, se nuk ka të dhëna, që një sulm ajror në rajon ka prekur civilët./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne