Avokati Gashi ka paditur Vuçiçin për deklaratën për Masakrën e Reçakut

Avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi, ka njoftuar se ka parashtruar padi penale kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për shkak të deklaratës së tij se masakra ndaj civilëve shqiptarë në Reçak ishte e fabrikuar.

Gashi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se ka parashtruar një padi penale në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” sipas Nenit 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Avokati Gashi ka publikuar edhe kopje të padisë penale në të cilat shpjegohet padia.

Më herët ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e cila ka dënuar qasjen antihumane dhe antinjerëzore të liderëve shtetërorë serbë në raport me krimet dhe gjenocidin që shteti i tyre ka kryer gjatë luftërave të fundshekullit të kaluar në njësitë e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën.

Reçaku është një fshat në Kosovë në të cilin ushtria e ish-Jugosllavisë më 15 janar të vitit 1999 ka vrarë 45 civilë shqiptare, që ka qenë shkas për fillimin e bombardimeve të NATO-s.

Presidenti Vuçiç dje ka deklaruar se krimi në Raçak është e fabrikuar nga ana e William Walker, i cili në atë kohë ishte shef i Misionit vëzhgues të OSBE-së.

Reagimi i këtillë i Vuçiçit erdhi pas dënimit të ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Todosijeviç, i cili u dënua me dy vite burg për përhapje të urrejtjes.

Todosijeviç është dënuar për deklaratën të cilët e ka bërë gjatë kohës sa ishte ministër i Qeverisë së Kosovës me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në ceremoninë e mbajtur në Zveçan.

Në fjalimin e tij, ai atëherë ka thënë se shkas për agresionin ndaj Serbisë ishte e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe Reçaku i fabrikuar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne