Avokati i Popullit: Legjislacioni, ende problem serioz në Kosovë

Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë me rastin e përmbylljes së vitit kalendarik 2019 ka organizuar konferencën e prezantimit të rezultateve njëvjeçare të punës preliminare të këtij institucioni.

Në një konferencë për media, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se Kosova njërën nga problemet më serioze e ka legjislacionin e saj. Sipas tij, ky legjislacion po ndikon në sistemin e drejtësisë dhe në punën e tyre.

“Një pjesë e madhe e ligjeve që nxirren nga Kuvendi i Kosovës ende nuk janë të harmonizuara mes vete dhe e dyta ende vazhdon të mos ketë një kodifikim të së drejtës që përbën njërin prej problemeve më serioze në funksionimin e së drejtës. Mirëpo, i cili gjithashtu afekton pastaj gjithë sistemin e drejtësisë duke pamundësuar edhe zbatimin adekuat dhe konsekuent të ligjeve”, tha Jashari i cili shtoi se gjatë këtij viti nuk ka pasur përmirësim në llogaridhënie nga institucionet.

Jashari tha se sistemi gjyqësor është vazhduar edhe këtë vit të ketë zvarritje të shqyrtimit të lëndëve edhe këtë vit, gjë që përbën shkelje të të drejtave të njeriut duke kaluar periudhat për më tepër se 5 vjet.

“Një raport tjetër gjithashtu që ka qenë shumë me rëndësi për neve ka qenë situata e trajtimit të fëmijëve në situatë rruge ku janë evidentuar shumë mangësi në funksionimin e komplet zinxhirit institucional duke filluar nga policia pastaj Qendra për Punë Sociale, mirëpo edhe entet e kujdestarisë të cilat nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese të cilat tashmë veç janë në fuqi”, ka thënë Jashari.

Avokati i Popullit adresoi disa parregullsi të tjera për të cilat dha rekomandime se si të veprohet. Ai tha se ka parashtruar “padi kundër KQZ-së përkitazi me diskriminimin gjinor në listat e kandidatëve të subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare 2019”.

Jashari tha se për shkak të rolit të Avokatit të Popullit është rritur për 70 për qind qasja në dokumente publike në krahasim me vitin 2018. Ndërsa nga 86 vizitat që ata i kanë bërë në vendet ku mbahen “personat e privuar nga liria si qendrat korrekutese qendrat e paraburgimit, stacionet policore, institucionet psikiatrike dhe të kujdesit social i kanë dërguar 12 raport me 76 rekomandime në autoritetet kompetente”.

Ai shtoi se këtë vit nuk është regjistruar asnjë rast i ushtrimit të torturës në qendrat korrektuese e të paraburgimit po ashtu asnjë rast i keqtrajtimit fizik dhe të kujdesit, e as psikiatrik.

Avokati i Popullit është institucion i pavarur në ushtrimin e detyrave dhe nuk pranon udhëzime ose ndërhyrje nga organet, institucionet ose nga autoritetet e tjera, të cilat ushtrojnë pushtet në Republikën e Kosovës. Avokati i Popullit zhvillon hetime, jep rekomandime, publikon raporte si dhe avokon për të drejtat dhe liritë e njeriut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne