Avramopulos: BE-ja duhet ti japë Turqisë pjesën tjetër të ndihmave prej 3 miliardë eurove

Anëtari i Komisionit Evropian për Çështjet e Migracionit, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos bëri të ditur se është e nevojshme që Turqisë ti dërgohet pjesa e dytë e ndihmave për refugjatët në vlerë 3 miliardë euro të premtuara nga ana e Unionit.

Gjatë një konference për shtyp të organizuar në Komisionin Evropian, Avramopulos tha se marrëveshja e emigrantëve e nënshkruar në mars të vitit 2016 mes Turqisë dhe BE-së ka dhënë rezultate pozitive dhe se fluksi i emigrantëve është ndalur për 97 për qind.

“Në saje të marrëveshjes së arritur me Turqinë është ulur dukshëm edhe numri i vdekjeve të personave të cilët tentojnë të kalojnë në Evropë”, bëri të ditur Avramopulos.

Duke vënë theksin në nevojën për të vazhduar me përmbushjen e detyrimeve të dala nga kjo marrëveshje Avramopulos tha se “BE-ja duhet që sa më parë të bie dakord për dërgimin e pjesës së dytë prej 3 miliardë eurove ndihmë për refugjatët sirianë në Turqi”.

Ai bëri të ditur se pas marrëveshjes së arritur me Turqinë dhe Libinë numri i emigrantëve që kalojnë nëpërmjet Mesdheut Qendror është ulur për 77 për qind.

Avramopulos tërhoqi vëmendjen se aktualisht 1 mijë e 300 pjesëtarë të rojeve kufitare janë duke i ruajtur kufijtë e jashtëm të BE-së kundër migrimit të paligjshëm, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Masa të njëanëshe që do të marrin vendet e BE-së përballë migrimit të paligjshëm, nuk janë zgjidhje. Këto, jo vetëm që nuk do të jenë efikase, por në të njëjtën kohë do të dëmtojnë çdo gjë që BE-ja ka ndërtuar në këto 60 vitet e fundit”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne