Azerbajxhanasit në zonat kufitare nuk braktisin shtëpitë përkundër sulmeve të Armenisë

Pavarësisht se jetojnë me pamjet, zhurmën dhe rrezikun e sulmeve nga ushtria armene, azerbajxhanasit që jetojnë në fshatrat përgjatë kufirit me Armeninë nuk po i braktisin shtëpitë e tyre.

Për gati një javë, sulmet e forcave armene ndaj Azerbajxhanit kanë synuar marrjen e lartësive strategjike përgjatë kufirit dhe kanë shënjestruar jo vetëm ushtarët, por edhe civilët.

Shumë shtëpi në rajon janë bërë të papërdorshme pas sulmeve nga artileritë në fshatrat kufitare të provincës Tovuz të Azerbajxhanit, por civilët vendas nuk kanë ikur.

Familja Azizov është një nga familjet që po vazhdojnë jetën brenda zjarrit të armëve.

Ata e kanë humbur xhaxhain Aziz Azizov, 76 vjeç, i cili u godit nga të shtënat me artileri.

“Këtu kam lindur dhe këtu do të vdes”

Duke folur për Anadolu Agency (AA), nëna Turane Aliyeva nga kjo familje tha se nuk kanë frikë nga armenët dhe kurrë nuk do të lënë tokat e tyre.

“Dëgjoni zhurmën e zjarrit. Unë jam në shtëpinë time dhe nuk shkojmë askund. Unë kam lindur këtu dhe do të vdes këtu”, tha ajo.

Ndërkaq, Izzet Azizov tha se armenët e shkelin armëpushimin pothuajse çdo ditë.

“Përkundër kësaj, ne po e vazhdojmë jetën. Ne jemi mësuar me këtë. Në sulmet e fundit, vdiq xhaxhai im. Por përsëri, ne nuk e braktisëm shtëpinë”, theksoi ai.

Besti Mesimova, një i afërm i familjes Azizov tha se mbështetja e Turqisë përballë sulmeve armene u jep atyre krenari.

“Ne kurrë nuk do të largohemi nga fshati ynë ose të ikim”, tha ai.

Të dielën, ushtria armene u përpoq të sulmonte pozicionet e Azerbajxhanit me zjarr artilerie drejt rajonit kufitar veriperëndimor Tovuz, duke u tërhequr pas pësimit të humbjeve si rezultat i kundërpërgjigjes nga ushtria azerbajxhanase.

Azerbajxhani e ka fajësuar Armeninë për veprimet “provokuese”, ndërsa Turqia mbështet Bakun dhe e ka paralajmëruar Jerevanin se nuk do të hezitojë të qëndrojë kundër çdo sulmi ndaj fqinjit të saj lindor.

Që nga viti 1991, ushtria armene ka pushtuar në mënyrë të paligjshme rajonin e Malësisë së Karabakut që është një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Katër rezuluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme si dhe vendimet e shumë organizatave ndërkombëtare, i referohen aktit si pushtim i paligjshëm dhe kërkojnë tërheqjen e forcave armene nga Malësia e Karabakut dhe shtatë rajone të tjera të okupuara të Azerbajxhanit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne