Azerbajxhani një ndër investitorët më të mëdhenj në Mal të Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq qëndroi për vizitë zyrtare në Azerbajxhan. Ai u prit nga zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe mori pjesë në forumin e afaristëve të dy vendeve. Në takimin që pati me homologun e tij, Novruz Mamadov, u pajtuan se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë tradicionalisht miqësore, që i karakterizon dialogu intensiv politik dhe një shkallë e lartë mirëkuptimi dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri Markoviq ka thënë se Mali i Zi me potencialin e tij modest është i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe përkrah sovranitetin dhe pavarësinë e vendeve partnere, ndër të cilat është dhe Azerbajxhani. Të dy kryeministrat kanë vlerësuar se të dyja shtetet gëzojnë frytet e pavarësisë të fituar me shumë sakrifica. Fjala është për vende multietinke dhe multikonfesionale, të cilat në mënyrën e vet japin ndihmesë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Kryeministri i Malit të Zi, Markoviq është shprehur i kënaqur me investimet e Azerbajxhanit në Mal të Zi, të cilat në kompleksin turistik “Porto Novi” kalojnë mbi 100 milion euro duke e radhitur Azerbajxhanin si një ndër investitorët më të mëdhenj në vend. Ai i bëri ftesë homologut të tij Mamadov që vitin e ardhshëm të vizitojë Malin e Zi dhe të marrë pjesë në hapjen solemne të këtij kompleksi të madh turistik. Sipas numrit Një të qeverisë malazeze, investimet nga Azerbajxhani i kontribuojnë perspektivës së dinamikës ekonomike të Malit të Zi. Ai tha se ky bashkëpunim i suksesshëm duhet të zgjerohet dhe të vazhdojë dhe në fusha të tjera. Në ditën e dytë të qëndrimit në Baku, Markoviq mori pjesë dhe në Forumin e Afaristëve të dy vendeve, ku u shpreh se Mali i Zi është vendi më stabil në Ballkanin Perëndimor, vend me rritje të lartë ekonomike dhe investime në infrastrukturë, të cilat kanë shënuar rritje pas anëtarësimit të vendit në NATO. Sipas tij stabiliteti është parakusht i zhvillimit ekonomik e krahas saj me rëndësi edhe për politikën. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte sinjal për investitorët që Mali i Zi është destinacion me siguri të lartë që u garanton standarde partnerëve të huaj dhe me të krijohet një ambient i përshtatshëm i investimeve. Markoviq tha se tani prioritet për vendin është zhvillimi i veriut dhe me këtë rast u bëri ftesë investitorëve nga Azerbajxhani që të investojnë në bujqësi. Për këtë investitorëve të interesuar do t’u ofrohen dhe lehtësira, ka premtuar ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne