Bota

Azerbajxhani: Serbia i dërgoi armë Armenisë në mes të konfliktit në kufi

E ngarkuara me punë e Serbisë në Azerbajxhan, Danica Veinoviq, është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit me arsyetimin se vendi i saj ka dërguar armë në Armeni në kohën kur ndodhën përleshje në kufirin Armeni-Azerbajxhan.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, zëvendësministri Halef Halefov, i cili e ka pranuar diplomaten serbe, ka thënë se kanë marrë informacion të besueshëm dhe të verifikuar se një sasi e madhe municionesh, që përbëhej nga predha mortajash dhe predha të tjera të kalibrit të ndryshëm, është dërguar nga Serbia në Armeni.

Duke rikujtuar se Armenia përdori më shumë topa dhe mortaja në sulmet e nisura në rajonin Tovuz më 12 korrik, Halefov deklaroi se si rezultat i sulmeve, 12 ushtarë azerbajxhanas, përfshirë një gjeneral, dhe një civil kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.

Ai po ashtu ka rikujtuar se midis Azerbajxhanit dhe Serbisë ekziston marrëveshje e partneritetit strategjik, duke shtuar se ky hap “jomiqësor” i Serbisë nënkupton mbështetje për politikat pushtuese të Armenisë dhe sulmet kundër integritetit territorial të Azerbajxhanit dhe si i tillë “ka pikëlluar dhe zhgënjyer” popullin dhe qeverinë azerbajxhanase.

Halefov ka shtuar se nga Serbia presin një prononcim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Ndërkaq, diplomatja serbe Veinoviq ka thënë se nuk ka informacion në lidhje me çështjen dhe se këtë do t’ua përcjellë autoriteteve më të larta./AA

OPINIONE

INTERVISTA