Azilkërkuesit që kthehen me forcë në Shqipëri pas një kohe të gjatë qëndrimi në vendet e Bashkimit Europian, e përjetojnë si një dramë rikthimin. Familja Tocilla nga Kukësi, nga Franca përfundoi në një spital në Tiranë. Dy fëmijët e mitur mezi flasin shqip ndërsa babai i tyre u sëmur rëndë.
Një shoqatë franceze që e kishte ndihmuar familjen kuksiane zhvilloi një protestë kundër dëbimit të familjes Tocilla. Pjesëmarrësit mbanin mbi kokë karrige të vogla, si për të thënë që arsimimi dhe e ardhmja e dy fëmijëve të mrekullueshëm, të mbizotërojë ndaj kokave qe marrin vendime dëbimi.
Silvina është 9 vjeç dhe këtë vit ajo do të shkojë në klasën e tretë megjithëse e ka bërë në Francë. Vëllai Besardi do të fillojë klasën e parë, por 5-vjeçari flet frengjisht, shumë pak shqip.
Fatosi është 48 vjeç. Ne 2014-ën ai u nis me familjen nga Tirana drejt Francës, me traget deri në Itali dhe me tren deri në Bordo, me para të marra borxh.
Jetoi një vit e gjysmë atje deri në datën 24 gusht. Fëmijët shkonin në shkolle e kopësht dhe një shoqatë i ndihmonte me procedurat e azilit.
Fatosi dikur punonte në ndërtim, por në 2006-ën pësoi aksident me makinë dhe që nga ajo kohë vuan nga epilepsia. Para se të nisej për azil familja jetonte vetëm me 90 mijë lekët e invaliditetit që iu ndërpre kur shkoi ne Francë.
Sapo erdhi në Shqipëri Fatosi iu nënshtrua një operacioni urgjent, pasi i plasi stomaku. Ne 24 shtator familja Tocilla pret zhvillimin e një seance gjyqësore, që shpreson t’u jape të drejtën të rikthehen në vendin që u mungon të katërtëve.
Burimi: Top Channel