Bagamoyo, kryeqyteti i kolonializmit gjerman

Mbetjet në qytezën Bagamoyo të Tanzanisë, kryeqytetin e administratës koloniale të gjermanëve në Afrikën Lindore, përfaqin fytyrën e përgjakur dhe të shëmtuar të historisë kolonialiste, shkruan Anadolu Agency (AA).

Qyteza që gjendet 75 kilometra në veri të qytetit Darusselam të Tanzanisë, dikur ishte kryeqytet i administratës koloniale që ishte emërtuar si “Afrika Lindore Gjermane” që përfshinte Tanzaninë e sotme, Ruandën dhe pjesën më të madhe të Burundit.

Qyteza ku filluan aktivitetet e para misionare në rajon dhe ku u ndërtua kisha e parë, pas gjermanëve për një kohë u përdor edhe nga britanikët.

Nga ana tjetër, shumë tyrbe dhe varreza që datojnë nga shekulli XIII tregojnë në fakt se sa e vjetër ka qenë prania e Islamit në rajon.

Qyteza ishte qendër e tregtisë me skllevër dhe fildish

Bagamoyo, qendra kryesore e tregtisë me skllevër, kishte rëndësi strategjike për shkak të afërsisë me ishullin e Zanzibarit, kurse nga shekulli XVII deri në fund shekullit XIX ishte nën kontrollin e Sulltanatit të Omanit. Para shekullit XVII në Bagamoyo bëhej transporti i disa produkteve ushqimore, ndërsa pas kësaj kohe u bë qendër e përdorur për plotësimin e kërkesave në rritje për skllevër dhe fildish në Evropë dhe SHBA.

Sipas të dhënave të Muzeut të Bagamoyos, nga mesi i shekullit XIX, në qytezë çdo vit silleshin rreth 10 mijë skllevër nga pjesët e brendshme të Afrikës.

Skllevërit prej aty transportoheshin në Zanzibar në grupe prej 200 deri në 500 personash me lundrat arabe që njihen si “Dhow”.

Skllevërve u jepej të hanin “bitter kola” për të qëndruar në këmbë

Skllevërit që silleshin në bregdet nga pjesët e brendshme të Afrikës, ndonjëherë detyroheshin të udhëtonin me muaj, e ndonjëherë madje edhe me vite. Skllevërit që rraskapiteshin dhe sëmureshin vriteshin kur kuptohej se janë në pamundësi për të vazhduar rrugëtimin.

Ndërkaq, për të qëndruar në këmbë dhe për të fituar energji, atyre u jepej të hanin frutin e quajtur “bitter kola”.

Në Afrikën Lindore, 23 përqind e skllevërve afrikanë të shkëputur nga territoret e brendshme të kontinentit në shekullin XIX u dërguan në Arabi, Iran dhe Indi, 18 përqind në Afrikën e Jugut dhe Amerikë, kurse gjashtë përqind u dërguan në ishullin Reunion dhe Mauritius për të punuar në tokat e francezëve me kallam sheqeri.

Ndërkaq, pjesa e ngelur u transferuan në ishujt Zanzibar dhe Pemba për t’u detyruar në punë dhe për t’u shitur. Shkak i mbajtjes së skllevërve në Afrikën Lindor ishte rritja botërore e kërkesës për erëza, arrë kokosi, kafe, kallam sheqeri dhe oriz që kultivoheshin në rajon.

Vendi ku burgoseshin skllevërit që nga Burundi, Uganda, Ruanda dhe Kongo dërgoheshin në Zanzibar ishte Carevan Serai. Teksa në depotë në njërën nga pjesët e ndërtesës dykatëshe ruheshin filidishët, në pjesën tjetër mbaheshin skllevërit.

Besohet se emri i qytezës ka rrjedhë nga fjala “Bagamoyo” që në gjuhën Svahili do të thotë “lëre zemrën”.

Kryengritësit kundër gjermanëve u varën

Duke e shpallur qytezën si kryeqytet pasi morën kontrollin e rajonit nga fundi i shekullit XIX, gjermanët e bënë atë qendër administrative prej ku administroheshin të gjitha kolonitë në Afrikën Lindore.

Abushiri b. Salim el Harthi, i lindur nga baba arab dhe nënë nga populli Oromo, në vitin 1888 themeloi ushtri që përbëhej nga arabë dhe popullata vendase, megjithatë nuk pati sukses. Si rezultat i luftimeve, pesë mijë persona u detyruan t’i braktisnin trojet e tyre.

Pas vrasjes në vitin 1889 të liderit të kryengritjes në fjalë që njihet sipas emrit të tij, Abushiri, gjermanët realizuan masakër të madhe në rajon.

Ndjekësit e Abushirit u ekzekutuan kolektivisht në trekëmbëshat e vendosur në bregdet.

Në vendin ku u varën rezistuesit sot gjendet një përmendore. Ndërkaq, 100 metra matanë përmendores gjenden varret e ushtarëve gjermanë të vrarë nga ndjekësit e Abushirit.

Në vitin 1897, Gjermania ndërtoi një ndërtesë të madhe administrative në qytezë. Ndërtesa në fjalë, në të cilën sot vazhdojnë punimet e restaurimit, më pas u përdor edhe nga administrata koloniale britanike.

Ndërkaq, tregu i dikurshëm i skllevërve që gjendet në afërsi të ndërtesës administrative tani përdoret nga njerëzit e rajonit për t’i shitur veprat e tyre artisitke.

Kisha e parë në rajon

Misionarët për herë të parë zbarkuan në qytezë në vitin 1860. Qyteza është vendi i parë ku u hap kishë në këto brigje dhe atëbotë u bë skenë e një krishterimi serioz.

Misionarët kishën e parë këtu filluan ta ndërtojnë në vitin 1872, kurse katedralen e parë në vitin 1908.

Misionarët, të cilët treguan përpjekje për krishterizimin e banorëve të qytezës që thuajse në tërësi ishin muslimanë, fituan mbështetje të madhe edhe nga sulltani i atëhershëm i Zanzibarit, Sejid Mexhid bin Said.

Noel Fidelis Lasway, drejtor i muzeut përgjegjës për gërmadhat gjermane, për AA tregoi se e kaluara e qytezës daton që nga shekulli II.

Lasway thotë se qyteza përbëhet nga popullata lokale që flet gjuhën Bantu, duke shtuar se vendi krahas tregtisë, është përdorur edhe si bazë ushtarake.

Lasway vë në dukje se popullata nuk ka dashur që trojet e tyre t’ua dorëzojnë gjermanëve dhe se shumë njerëz që ishin revoltuar ishin vrarë.

E kaluara islame që daton që nga shekulli XIII

Një tjetër trashëgimi i rëndësishme që reflektojnë praninë e Islamit në qytezë janë edhe gërmadhat në Kaloe që datojnë që nga shekulli XIII.

Erik Baraka, një nga ruajtësit e gërmadhave të Kaloes, tregoi se njerëz të ardhur nga Gjiri Persik janë vendosur aty dhe se shtetet e para të Afrikës Lindore kanë lindur pikërisht aty.

Baraka gjithashtu thekson se aty janë vendosur shumë të huaj dhe se edhe xhamia e parë është në mesin e gërmadhave të ekzistente.

Baraka tregon se njerëzit ende e pinë duke e konsideruar të shenjtë ujin që buron nga pusi në afërsi të gërmadhave, duke shtuar se uji i pusit asnjëherë nuk shteret.

Baraka beson se tyrbeje që ndodhet aty është bërë për pasardhësit e familjes së profetit Muhamed.

Qyteza Bagamoyo, ku shekuj më parë skllevërit “lanë zemrat e tyre”, sot është në mesin e destinacioneve për ata që duan ta mësojnë të kaluar koloniale të Tanzanisë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne