Balla e Klosi takim me Begajn për datën e zgjedhjeve lokale 2027, opozita refuzoi në bllok ftesën e Presidentit! Blushi letër Kreut të Shtetit: Konsultimet, të padobishme! (VIDEO)

Ftesa e Presidentit Begaj për konsultime me subjektet politike për datën e zgjedhjeve, u refuzua publikisht nga Partia Demokratike, e cila njëjtë si në zgjedhjet e shkuara, nuk do t’i përgjigjet pozitivisht Presidentit. Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi e quajti nisjen e konsultimeve teatër. Edhe partitë e tjera të opozitës e kanë refuzuar ftesën.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, janë takuar me Presidentin Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve lokale të vitit 2027.

Takim me Presidentin për datën e zgjedhjeve, sot do të zhvillojnë edhe përfaqësues të Partisë Social-Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi, në orën 11:00. PSD do të përfaqësohet në takim nga deputeti Tedi Mula dhe nënkryetari i partisë, Altin Vrioni.

Data e zgjedhjeve shpallet nga Presidenti, 9 muaj para përfundimit të afatit të mandatit të kryetarit aktual, ndaj 6 nëntori përllogaritet si afati fundor që kodi elektoral dikton për nxjerrjen e datës së zgjedhjeve, që duhet të jetë një e diel mes periudhës 15 prill-15 maj të 2027.

Ftesa e Begajt për konsultime me subjektet politike për datën e zgjedhjeve, u refuzua publikisht nga Partia Demokratike, e cila njëjtë si në zgjedhjet e shkuara, nuk do t’i përgjigjet pozitivisht Presidentit. Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi e quajti nisjen e konsultimeve teatër. Ftesa e Begajt për diskutime për datën e zgjedhjeve u refuzua në bllok edhe nga partitë e tjera opozitare.

Sot, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, përmes një letre drejtuar Presidentit Begaj, ka shkruar se konsultimi për datën e zgjedhjeve, në kushtet sipas tij të krizës politike që ka kapluar vendin, me protesta të përditshme, është i padobishëm.
Deri më tani, asnjë nga partitë e tjera nuk kanë shprehur publikisht një datë të preferuar, por muaji maj shikohet si më i përshtatshmi për t’iu drejtuar kutive të votimit. Data 2 e majit përjashtohet, pasi sipas kalendarit të Festave Zyrtare, është e diela e Pashkëve Ortodokse. Data më e mundshme mbetet ajo e 9 majit, që njihet edhe si Dita e Europës./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne