Opinion

Bamirësia nuk lakmon nderim e aq më pak të vetëshpallesh shpëtimtar i kombit

Nga Ndriçim Mehmeti

Në situatën e pas tërmetit, shpërtheu një solidaritet, sikundër ka ndodhur shumë herë në kohë të vështira për shqiptarët. Padyshim që askush nuk pengon askënd që përmes shoqatës së tij, nismës private, emisionit në një televizion të mbledh para, e më pas t’i shpërndajë ato sipas nevojave.

Sigurisht që nuk të pengon as të ulesh në një komitet të krijuar nga Kryeministri ynë më shumë për qëllim propagandistik, sesa për qëllime të vërteta të analizës së ngjarjes, mënyrës së tejkalimit, rrugët më të mira që duhen bërë, thirrja e ekspertizës më të mirë në këtë organizëm etj.

Duket qartë se Komiteti e kthen vëmendjen tek mbledhja e ndihmave sesa tek fatkeqësia, shkaktarët, pasojat afatgjatë etj. Por le të kthehemi në çështjen.

Sllogani ‘Bamirësi nuk të varfëron’, është mjaft i njohur dhe i përhapur. Por a të jep bamirësia mundësinë të vetë shpallesh shpëtimtar i kombit? Këtë po mendoja kur dëgjoja djaloshin Hajdari që bërtiste tek emisioni ‘Opinion’, duke thënë: ‘Më dëgjoni mua se unë kam bërë më shumë se të gjithë ju’.

Gjithkush mund të mendoj se ‘ishte një shpërthim i momentit, se djaloshi nuk e kontrolloi dot veten, për shkak të lodhjes, stërmundimit, mbledhjeve që në pikë të sabahut me komandantin, nuk koordinohet dot me imam Naçin, i mungojnë vullnetarët ‘ etj.

Edhe unë kështu do të mendoja, nëse e shikoja se kjo ishte për herë të parë. Situata e rëndë e pas tërmetit, mund të kushtëzoj sjellje të tilla, sidomos për ata që kanë shkelur më shumë në terren këto ditë dhe ndoshta nga pikëpamja psiko-soiale nuk kanë qenë të përgatitur për ngjarje të tilla.

Por të njëjtën shprehje gati në formë kërcënimi, djaloshi e ka përdorur kundër politikanit mjaft popullor në Shqipëri, Dashamir Shehi. I kuruar në maksimumin e vet me një veshje trendy, si Arbri dhe imam Naçi, ishin në garë se cili prej mendimeve, ideve, platformave të tyre ishte më i miri, më i duhuri dhe padyshim të linte të kuptoje, se tani ata kishin një garë më vete: Kush do të bëhej më i famshmi në emër të bamirësisë.

Natyrisht që përmes këtyre radhëve, nuk dua të hedh poshtë, asnjë kontribut qoftë edhe modest të ‘Fundjavës ndryshe’. Madje unë vetë këshillova tim bir që atë ndihmë modeste që ai dëshironte ta jepte në këtë fatkeqësi ta adresonte tek ‘fundjava ndryshe’. Kjo pasi kisha krijuar një bindje relative, se aksion i këtyre të rinjve, ishte një përpjekje e mirë për të treguar një tjetër profil të shoqërisë shqiptare.

Besimi mu lëkund sikundër përmenda tek rasti i debatit mes Arbrit dhe z. Shehi. Arroganca me të cilën ju drejtua, nuk është as në kodin e etikën, as në kodin zakonor shqiptar për respektin ndaj më të rriturve dhe as nuk i shkon për shtat një bamirësi. Ai që bënë bamirësi, në përgjithësi preferon të rrijë në hije, të mos i dali emri.

Bamirësia bëhet në emër të së mirës, duke hequr pak nga pasuria jote, e duke e dhënë për ata që kanë më shumë nevojë. Bamirësia nuk bëhet për të marrë lavde e aq më pak të vetë lavdërohesh e të dalësh, hero, duke relativizuar rolin e të tjerëve. Imam Naç besoj se duhet ta kujtojë më mirë se ne përmes shprehje kruranore: ‘Allahu, bamirësve nuk do t’ua humbë shpërblimin.’ (et-Tevbe, 120).

Po ja ta zëmë se Arbri ka bërë më shumë se gjithë të tjerët? A është ky një detyrim, apo një thirrje që ne duhet patjetër të gjejmë mundësinë t’ia shlyejmë këtij njeriu nderet e mëdha, duke bërë bamirësi jo prej pasurisë së tij, por prej donacioneve dhe shpirtmadhësisë së të tjerëve, biznesmen, emigrantë, njerëz të thjeshtë.

Ka plot njerëz në botë që quhen filantrop, por që kurrë nuk e përmendin bamirësinë dhe nuk kërkojnë merita nga populli i tyre, as nderim të veçantë. Ka plot që kanë bërë më shumë e shumë më shumë se Arbri. Janë me qindra, mësuese, mësues, edukatore, pedagog, që kanë mësuar Arbrin me shok, sesi të ndihmojnë të tjerët, çdo të thotë të përkrahësh dikë që është në nevojë dhe nuk rrahin gjoksin, as kanë kërkuar merita, bile as kujtohet kush për ta, për t’i nderuar se e meritojnë.

Zjarrfikësit vullnetar që erdhën në Shqipëri, nga katër anët e botës, nuk kërkuan lavdi, as ndere, as mburrje. U larguan me lot e dhimbje se nuk arritën të shpëtonin më shumë jetë njerëzish. Nuk u bë asnjë garë, se kush ishte më i miri, turqit, grekët, kosovarët, francezët apo italianët. Me kokën ulur, ata falënderoni shqiptarët që i kishin përgëzuar për punën e tyre. E pra ata bënë më shumë se të gjithë ne.

Lanë shtëpitë e tyre dhe erdhën në një vend, ku nuk e dinin se çfarë i priste. Dhe këtë nuk e bën as për para, as për shpërblim material dhe as se do të dekoroheshin nga shteti jonë apo i tyre. Ata nuk dolën në asnjë studio në vendet e tyre, pasi thjesht mendojnë se kanë nuk kanë bërë gjë më shumë se detyrën, për të cilën janë betuar dhe i kanë kushtuar karrierën e tyre profesionale.

Përpara se të kërkosh të bësh heroin dhe të vetë shpallesh si i tillë, duke thënë plot prepotencë ‘se unë jam ai që kam bërë shumë për ju’, shiko edhe fondacione të këtij lloji në botë sesi sillen, sa herë dalin në televizion, sa rëndësi i kushtojnë faktit që kamera duhet të jetë aty, nga ngarkimi i mallrave ushqimore, apo teshave e deri tek shpërndarja e tyre dhe në fund përshëndetja rutinë ‘faleminderit fundjave ndryshe’.

Ngrihet një shtëpi dhe filmohet si ishte, kur hidhet tulla e parë, si bëhen ndarjet në shtëpi, mobilimi e në fund çelësat në dorë, në praninë e kamerave medias në të gjithë këtë proces. E në fund, shprehja e zakonshme ‘faleminderit fundjave ndryshe.’

Po ashtu një njeri i fesë nuk mund të ketë kamera kudo që shkon, të japi kohë pas kohe sa lek ka grumbulluar, duke u bërë si biçim llogaritari. Thjesht i merr dhe siç thoshin plakat e vjetra ‘i ormis’ për fukarenjtë si nikoqirja e mirë, që përpiqet të kënaqi e ngopi të gjithë me drekën e saj edhe kur i ka mundësitë e pakta. Shqiptarët nuk e humbën kurrë shpirtin bamirës në çdo kohë, përfshi edhe në luftërat më të përgjakshme.

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ishin dhjetëra familje shqiptare që shpëtuan hebrenjtë nga depërtimi në kampet e përqendrimit. Shumë prej tyre ende nuk njihen. Disa u burgosën nga diktatura, mbetën pa shtëpi, pa familje, u endën nëpër kampe pune dhe burgje, por kurrë nuk u mburrën, nuk kërkuan mirënjohje, shpërblim, për një veprim të kryer me vetëdije të plotë, për të shpëtuar njerëz pavarësisht se kujt kombësie, gjinie, apo besimi që i takonin.

Ata kurrë nuk i pamë në ndonjë mbledhje qeverie, për të treguar idetë e tyre. Po ashtu Billi Gates, artistë e sportistë të ndryshëm, japin me miliona donacione euro apo dollar, por asnjëherë nuk pranojnë të dalin në media. Janë vetë institucionet përfituese që i kanë falënderuar dhe jo ata vetë të kërkojnë nderim apo të dalin në krah të qeveritarëve.

Unë jam i sigurt se ky shkrim mund të mos u pëlqejë shumë njerëzve, mund të kritikojnë e mundet vetë Arbri apo Naçi të më thonë: ‘Po ti çfarë ke bërë se ne kemi bërë mrekullia’. Unë çdo ditë përpiqem që të mësoj studentë e mi, për tu bërë më të mirë për veten, familjen dhe vendin.

Dhe për këtë nuk kërkoj nderim, se e kam detyrim për profesionin që e kam zgjedhur vetë me plotë dëshirë. Sigurisht lumturohem me veten time, sa herë që nxënës apo student arrijnë suksese, natyrisht që emocionohem kur përmendin emrin tim si pjesë të suksesit, por nuk jam unë i vetmi që edukoj, mësoj apo përpiqem të jap ca dije më shumë.

As Arbri e as imam Naçi nuk janë të vetmit, për aq kohë sa mbledhin dhe menaxhojnë frytet e bamirësisë së të tjerëve dhe jo të ardhurat e tyre. Aq më shumë që koha që kanë zgjedhur për tu vet shpall hero është më e papërshtatshmja./SYRI

OPINIONE

INTERVISTA