Shqiperia

Bandat shqiptare të kokainës shqetësim kryesor në Parlamentin Britanik

Të rinjtë britanik mund të porosisin drogë, dhe bandat kriminale mund të dërgojnë në derën e shtëpisë së tyre pako të mëdha droge, të cilat vijnë nga bandat kriminale shqiptare ose serbe, ose nga bandat vendase të drogës”.

Kështu u shpreh Ministri britanik për Sigurinë Ben Wallance, në një intervistë për BBC pas debatit në parlamentin britanik për lulëzimin e grupeve kriminale të trafikut të drogës në Britani. Ai shtoi se “vetëm në Londër nga janari deri më tani janë vrarë 67 persona si pasojë e luftës së bandave dhe mendohet që ky numër do të arrijë në 100 persona deri në vjeshtë”.

Gjithashtu edhe Deputeti britanik David Lammy gjatë fjalës së tij në seancën e Parlamentit britanik për grupet kriminale të trafikimit të drogës të mbajtur në fillim të javës, u shpreh se “grupet kriminale kanë filluar të rektrutojnë fëmijë 15 vjeçarë të cilët nën kërcënim detyrohen të punojnë për këto banda.

Ai shtoi se “Kokaina nuk është më droga e të pasurve, përdorimi i saj po rritet në zonat rurale. Për shembull Lancashire, qytet në veri perëndim të Mbretërisë së Bashkuar ka rënë pre e luftës së vazhdueshme ndërmjet bandave të drogës”.

Grupet kriminale shqiptare janë mes grupeve kryesore në Mbretërinë e Bashkuar që trafikojnë kokainë.

Ato janë një shqetësim i vazhdueshëm për ligjvënësit britanik, të cilët në disa raste janë shprehur për mediat britanike se trafikimi i drogës dhe lufta ndërmjet bandave kryesisht me prejardhje nga Evropa Lindore, shqiptarë ose serbë, ka rritur pasigurinë në Londër dhe në periferi të Britanisë. Kështu:

Më 6 prill 2018, Deputeti britanik David Lammy, në një intervistë për BBC Neës, në lidhje me rritjen e numrit të grupeve kriminale të drogës në Londër u shpreh se “Unë e di nga burime të policisë se bëhet fjalë për grupe kriminale të mëdha — me prejardhje nga Evropa Lindore, shqiptarë — ato janë trafikantë, ato trafikojnë drogë dhe armë.”

Më 5 shkurt 2018, media britanike Independent raporton se “megjithëse organizatat kriminale shqiptare përbëjnë vetëm 0,8 për qind të numrit të organizatave krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar—përpara tyre renditen organizatat kriminale britanike (61,6%), ato konsiderohen nga Agjensia Kombëtare e AntiKrimit në Mbretërinë e Bashkuar [NCA] si më të dhunshmit dhe me lidhje më të forta në tregun ndërkombëtar të kokainës se sa kriminelët britanikë”.

Në korrik të 2017, media britanike, The Guardian raportoi se Agjensia Kombëtare e AntiKrimit në Mbretërinë e Bashkuar [NCA] në analizën vjetore mbi krimin e organizuar paralajmëroi se “grupet kriminale shqiptare kontrollojnë tregun e kokainës në Mberetërinë e Bashkuar duke përdorur dhunën” dhe se ato kanë “ndikim të madh në organizatat kriminale britanike”.

Sërish në korrik 2017, gazeta britanike Observer raportoi se shqiptarët janë një ndër grupet më të mëdha të emigrantëve në MB. Fëmijët shqiptarë, në bazë të të dhënave nga institucionet e mbrojtjes antitrafik të fëmijëve renditen të dytët pë nga numri pas fëmijëve të ardhur nga Vietnami.