Bangladeshi kërkon të shpejtojë riatdhesimin e Rohingyave

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina ka deklaruar se bota duhet të nxisë Mianmarin që të krijojë situatë të favorshme për riatdhesimin e Rohingyave, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kriza e Rohingyave është një sfidë e vështirë për Bangladeshin. Ne duam një zgjidhje paqësore dhe të menjëhershme të krizës. Mianmari ka krijuar krizën dhe zgjidhja qëndron në Mianmar”, tha ajo, duke folur në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme në New York.

Ajo pohoi se Mianmari dëshironte të fshijë pakicën Rohingya nga shteti i saj Rakhine, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Bangladesh Sangbad Sangstha.

“Rohingyat shpëtuan nga dhuna dhe mizoritë dhe ne hapëm kufirin tonë për t’i strehuar ata në tokë humanitare”, tha ajo, duke shtuar se qeveria e saj ka bërë gjithçka për të mbështetur pakicën muslimane në Mianmar që nga gushti i vitit 2017 kur ata shpëtuan nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithëve të vizitoni kampet Rohingya në Bazar Cox në Bangladesh. Ne besojmë, nëse vizitoni ato kampe, do të tronditeni nga historitë e tyre tmerruese të mizorive në duart e forcave të sigurisë së Mianmarit dhe vullnetarëve lokalë”, tha ajo.

“Besoj se duke parë vështirësinë e tyre do t’iu shqyhet zemra dhe do të dëshironi të shihni fundin e gjendjes së tyre të dhimbshme sa më shpejtë”, shtoi ajo.

Komuniteti Rohingya, i përshkruar nga OKB-ja si njerëzit më të persekutuar në botë, janë përballur me frikën e shtuar të sulmeve pasi dhjetëra u vranë gjatë dhunës në vitin 2012.

Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit filluan sulme ndaj komunitetit pakicë musliman më 25 gusht të vitit 2017, duke shtyrë numrin e të persekutuarve në Bangladesh në mbi 1,2 milionë.

Në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit të Ontarios (OIDA), thuhet se 24 mijë muslimanë Rohingya që nga atëherë janë vrarë, më shumë se 34 mijë janë hedhur në zjarr dhe mbi 114 mijë të tjerë u rrahën nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u dhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën ndërsa 113 mijë të tjera u vandalizuan./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne