Banka Botërore: Lufta i ka kushtuar ekonomisë siriane 226 miliardë dollarë

Konflikti gjashtë-vjeçar i Sirisë ka shkatërruar infrastrukturën e saj dhe ka shkaktuar humbje në ekonominë e saj prej 226 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve të publikuara nga Banka Botërore të hënën.

Lufta shkatërruese ka vrarë mbi 320,000 njerëz dhe ka zhvendosur më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit që kur ajo filloi në mars 2011.

“Lufta në Siri është duke shkatërruar strukturën shoqërore dhe ekonomike të vendit,” tha në një deklaratë nënkryetari i Bankës Botërore për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Hafez Ghanem.

“Numri i viktimave është rrënues, por lufta po shkatërron edhe institucionet dhe sistemet që shoqërive u duhen që të funksionojnë, dhe riparimi i tyre do të jetë një sfidë më e madhe sesa rindërtimi i infrastrukturës – një sfidë që vetëm sa do të rritet ndërsa lufta vazhdon”, tha ai.

Raporti i Bankës Botërore zbuloi se humbjet kumulative të Produktit të Brendshëm Bruto që nga shpërthimi i konfliktit të Sirisë “janë vlerësuar në 226 miliardë dollarë, rreth katër herë sa GDP siriane në vitin 2010.”

Trupi vlerësoi se konflikti kishte dëmtuar ose shkatërruar 27 për qind të shtëpive të Sirisë dhe gati gjysmën e institucioneve mjekësore dhe arsimore të vendit.

Këto llogaritje bazoheshin në imazhet satelitore të qyteteve dhe zonave të caktuara, dhe u ekstrapoluan në bazë të modelit të intensitetit të konfliktit.

Banka Botërore ka gjetur se çdo vit ndërmjet viteve 2010-2015, janë humbur mesatarisht 538,000 vende pune. Ajo tha se më shumë se tre në katër sirianë në moshë për punë – ose rreth nëntë milionë njerëz – nuk ishin të punësuar dhe as nuk ishin regjistruar në ndonjë formë shkolle ose trajnimi .

“Pasoja afatgjatë e këtij inaktiviteti do të jetë një humbje kolektive e kapitalit njerëzor që çon në mungesë të aftësive në Siri”, tha ai.

Dëmtimi i sektorit të shëndetësisë ka pasur gjithashtu efekte shkatërruese, me Bankën Botërore që tha se më shumë njerëz janë vlerësuar të kenë vdekur nga mangësitë në sistemin mjekësor sesa drejtpërdrejt nga lufta.

“Shkatërrimi i sistemeve që organizojnë ekonominë dhe shoqërinë, së bashku me besimin që lidh njerëzit së bashku, ka patur një ndikim më të madh ekonomik sesa shkatërrimi i infrastrukturës fizike”, tha Banka Botërore.

Raporti vlerëson se nëse konflikti do të përfundojë këtë vit, GDP brenda katër viteve mund të rimarrë 41 përqind të nivelit para konfliktit.

Megjithatë, kjo shifër zvogëlohet për çdo vit që konflikti vazhdon. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne