Banka Botërore paralajmëron qeverinë për borxhin e lartë publik

Një studim i fundit i Bankës Botërore, me titull “Rregullat Fiskale për Ballkanin Perëndimor“, ka arritur në përfundimin se Shqipëria ka “nivel relativisht të lartë të borxhit publik”.

Studimi paralajmëron se qeveria shqiptare duhet të angazhohet fort për të respektuar rregullat fiskale, në mënyrë që borxhi publik të ulet në nivelin e pranueshëm prej 45 përqind të Prodhimit të Brendshmëm Bruto (PBB) deri në vitin 2025. Arritja e këtij objektivi kërkon një përkushtim “ndoshta më të madh […] nga ai që është treguar gjatë viteve të fundit.”

Në vitin 2018, borxhi publik i Shqipërisë ishte 68.6 përqind e PBB-së. Kjo shifër nuk përfshin kontratat e partneritetëve publik-privat (PPP) të qeverisë Rama, të cilat janë hartuar për ta fshehur vlerën e shtuar të tyre te borxhi publik. Sipas studimit, “Shqipëria do të duhet të arrijë çdo vit një surplus prej 0.8 përqind të PBB-së për të përmbushur objektivin prej 45 përqind të PBB-së deri në vitin 2025.”

Kjo vijon nga rregullat fiskale të Shqipërisë:

Aktualisht, rregullimet ligjore në Shqipëri kërkojnë që borxhi publik të mbahet nën nivelin 45 përqind të PBB-së. Ligji për Menaxhimin e Sitemit Buxhetor u ndryshua në vitin 2008, me një shumicë prej tre të pestave në parlament, dhe kufizoi borxhin publik në 60 përqind të PBB-së (neni 58 i ligjit 9936 i 2008). Megjithatë, ky nen u shfuqizua në vitin 2012 (FMN 2017).

Ligji u ndryshua përsëri në vitin 2016 dhe, duke përjashtuar rrethanat e jashtëzakonshme, në nenet 4/1 dhe 4/4 kërkon që çdo ligj vjetor i buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe planifikimet e buxhetit afatmesëm të sigurojnë që borxhi të ulet çdo vit, derisa të bjerë poshtë nivelit 45 për qind të PBB-së. (nenet 4/1 dhe 4/4 të Ligjit 57 për Menaxhimin e Sitemit Buxhetor, 2016).

Neni 4/2 përcakton se te borxhi publik hyn borxhi i drejtpërdrejtë dhe ai i garantuar nga qeveria [“stoku total i garancive shtetërore”]. Qeveria i ka vendosur vetes objektivin e ndërmjetëm pët të ulur borxhit në 60 përqind të PBB-së deri në vitin 2021 (FMN 2017). Për të siguruar që optimizmi të mos e dëmtojë përmbushjen e kësaj kërkese ligjore, parashikimet për PBB-në që përdor qeveria nuk mund t’i tejkalojnë ato të botuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në Perspektivën Ekonomike Botërore – një shembull sesi duhen përdorur kontrollet e jashtme për të nxitur përputhshmërinë me rregullat.

Ky rregull i borxhit të Shqipërisë plotësohet nga disa të tjerë. Nëse norma vjetore e parashikuar e rritjes reale ekonomike [PBB] është më shumë se 5 përqind, deficiti i përgjithësh duhet të jetë më pak se 2 përqind e PBB-së (neni 4/1d). Ekziston gjithashtu një rregull i artë, i cili kërkon që shpenzimet rrjedhëse të paguhen nga të ardhurat rrjedhëse, ndërsa lejon që shpenzimet për investimet të financohen nga huamarrja (neni 4/1 (4)). Qeveria gjithashtu duhet të mbajë në rezervë 0.7 përqind të shpenzimeve të buxhetit për t’i përdorur për ngjarje të papritura (neni 4/1). Dhe ka rregulla që kufizojnë shpejtësinë me të cilën mund të rriten deficitet gjatë një viti zgjedhor: për shembull, deficiti aktual për tremujorin e parë të vitit nuk mund të kalojë 30 përqindëshin e deficitit të planifikuar për gjithë vitin (neni 4/3).

Raporti gjithashtu paraqet skenarë të ndryshëm të borxhit, në varësi të përkushtimit të qeverisë shqiptare, nga zero përkushtim, në përkushtim të plotë:

Grafikët tregojnë se edhe nëse qeveria Rama do të përkushtohej plotësisht ndaj rregullave të veta fiskale, arritja e objektivit të FMN-së për një borxh publik prej 60% të PBB-së deri në vitin 2021 është i pamundur.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, qeveria Rama ka rritur shpenzimet publike me 7%, ndërsa të ardhurat e saj janë rritur vetëm me 3.8%. Deficiti aktual i buxhetit është 6 miliardë lekë (~50 milionë euro)./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne