Banka e Shqipërisë zgjeron bashkëpunimin me Bankën Qendrore turke

Në Tiranë është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë (TMB). Memorandumi është nënshkruar nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe homologu i tij turk, Murat Çetinkaya.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Sejko duke mbajtur një fjalë përshëndetëse theksoi se ky memorandum bashkëpunimi është shprehje e vullnetit të përbashkët për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin reciprok mes dy vendeve, ndërsa homologu i tij turk e konsideroi si një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e informacionit dhe të përvojës mes dy institucioneve.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya theksoi se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende me marrëdhënie të ngushta të mbështetura në miqësinë dhe besimin reciprok.

“… Turqia shpreh mendimin se Shqipëria është një vend me rëndësi strategjike për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Edhe Shqipëria, duke e shpallur Turqinë partner strategjik në vitin 2013-ën ka theksuar rëndësinë që i kushton vendit tonë. Prej shumë vitesh kemi marrëdhënie të afërta me Bankën e Shqipërisë dhe midis dy bankave tona po zhvillohen shumë veprimtari të përbashkëta bashkëpunimi”,- theksoi guvernatori i Bankës së Turqisë.

“…Në këtë kuadër, edhe ne si banka qendrore të dy vendeve mike, prej vitesh kemi marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi. Por, sot me këtë memorandum, ne i japim një dimension të ri këtyre marrëdhënieve, duke filluar një proces më të fuqishëm shkëmbimi eksperience dhe me programe konkrete trajnimi…”,- tha ndër të tjera guvernatori Çetinkaya.

Vlen të përmendet se Turqia renditet në vend të katërt për sa i përket nivelit të investimeve në Shqipëri ndërsa theksohet rëndësia e kapitalit turk në sektorin bankar. Sejko nënvizoi se janë rreth 429 kompani të përbashkëta dhe interesi i investitorëve turq është i madh.

“…Stoku i investimeve të huaja direkte nga Turqia llogaritet në rreth 481 milionë euro, duke përfaqësuar rreth 4.3% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Këto investime janë përqendruar kryesisht në fusha si: energjetika, përpunimi i metaleve, telekomunikimi dhe ajo financiare. Veçanërisht e rëndësishme është prania e kapitalit turk në sektorin bankar dhe financiar. Një nga bankat kryesore të sistemit tonë bankar është me kapital turk…”.

Në kuadër të kësaj vizite, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya u pritën në një takim kortezie nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne