Basha: Do ta pastrojmë Shqipërinë nga kriminelët dhe oligarkët

Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës dhe qytetarë protestuan sot në Tiranë kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.

Protestuestit e mbledhur përpara kryeministrisë bënë thirrje për largimin e Ramës dhe për “Shqipërinë si gjithë Evropa”. Kjo ishte protesta e dhjetë kombëtare e opozitës, që kur ajo braktisi mandatet në parlament.

Lideri i opozitës Lulzim Basha e nisi fjalën e tij me zgjedhjet e zhvilluara nga Partia Socialiste më 30 qershor. Ai tha se kjo ditë u kthye në një “referendum kundër së keqes”, ku shqiptarët “izoluan krimin dhe korrupsionin”, duke e e braktisur në masën 85 për qind këtë ditë votimesh.

30 qershori është një monument i mrekullueshëm i lirisë, europianizmit dhe qytetarisë së shqiptarëve. Rama ik! 30 qershori hyri në histori si dita kombëtare e kurajës, kur shqiptarët treguan se ata kanë forcën të ndahen nga e keqja. 30 qershori ishte dita e popullit kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminal të Edi Ramës. Vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe prapë i vodhi votat Edi Rama, por ai nuk mundi ta fshehë dot braktisjen dhe refuzimin e një populli. 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij, refuzuan krimin dhe korrupsionin, refuzuan varfërinë dhe mungesën e shpresës. Edi Rama kërcënoi dhunoi, bleu, joshi dhe prapë nuk ia doli dot të thyente vullnetin e shqiptarëve të bashkuar.

Më tej, Basha theksoi se rrugëdalja nga kriza në vend shkon përmes sundimit të ligjit, ndëshkimit të atyre që kanë abuzuar me pushtetin, të kriminelëve dhe të të fortëve, qofshin këta në rrugë, në politikë, në biznes apo në media.

“Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërrimtare!” – deklaroi Basha, duke iu drejtuar kriminelëve dhe atyre me lidhje me krimin. Ai shtoi se “me fundin e këtij regjimi kriminal, ne do t’i japim fund politikës së të fortëve.”

Basha deklaroi se pikat kyçe për t’u zbatuar pas largimit të Ramës si kryeministër, janë reforma zgjedhore dhe ajo e partive politike në Shqipëri. Sipas tij, këto reforma do të garantojnë mundësinë e kujtdo për t’u zgjedhur, do të sigurojnë që paratë e krimit dhe oligarkëve, si dhe administrata dhe burimet qeveritare të mos kenë rol në zgjedhje, dhe që mediat të mos jenë instrument i manipulimit të votuesve.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pasi të jetë larguar Rama, do t’i hapë rrugë përparimit të vendit përmes një ekonomie të lirë, konkurrencës së ndershme, luftën ndaj monopoleve kundër kapjes së ekonomiksë. Sipas Bashës, kjo qeveri do të jetë në gjendje të hapë në pak kohë me negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Në përfundim të protestës përpara kryeministrisë, protestuesit ndezën dritat e celularëve nën thirrjet “Rama, ik” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ata ecën drejt parlamentit dhe më pas drejt selisë së Partisë Demokratike.

Në fjalën përmbyllëse aty, Lulzim Basha ftoi shqiptarët në ndihmë të opozitës për t’i dhënë fund tranzicionit politik në Shqipëri.

Të mos mjaftohemi me rotacionin politik, që po vjen, por t’u japim shqiptarëve atë që kërkojnë: fund tranzicionit politik, standarde europiane. […] Të gjithë bashkë do t’i japim formë shpresës për ndryshim. Kam nevojë për ndihmën tuaj, qëndresën tuaj, vëmendjen tuaj teksa bashkë e mbyllim njëherë e mirë derën e tranzicionit, duke lënë jashtë Edi Ramën.

Protestuesit u shpërndanë qetësisht pas mëse dy orësh protestë./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne