Basha do të hetohet nga SPAK për pastrimin e parave ruse, skenari i vënies para drejtësisë

Lulzim Basha do ta ketë të vështirë t’i “mbijetojë” hetimit të organet ligjzbatuese shqiptare në lidhje me lobimin në SHBA me para ruse, në pranverën e vitit 2017.

Teksa prokuroria e Tiranës është përfshirë në një debat të fortë për shkak se dy nga prokurorët e çështjes jo vetëm që nuk kanë marrë firmën e prokurorit të tretë, por e kanë mbyllur dosjen pa dijeninë e tij, akuza për “pastrim parash” nuk do të kalojë lehtë me procedurë për Bashën.

“Pamfleti.net” ka shkruajtur kohë më parë se të gjitha palët për të gjitha dosjet në Shqipëri po presin ngritjen e SPAK për t’ia ngecur hetimin e thelluar, me argumentin se është një institucion që ka mbështetjen e të gjitha palëve, veçanërisht mbështetjen e SHBA dhe BE.

Dhe socialistët, me gjithë përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për ta shpëtuar Lulzim Bashën nga sikleti hetimit të lobimit me 650 mijë dollarë rusë në Uashington, me sa duket janë pajtuar me faktin se duhet të jetë SPAK ai që do ta hetojë kreun e PD.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh në një postim në rrjetin social se“teksa shqiptarët presin të ngrihet SPAK, është e papranueshme që prokurorë të caktuar të bëjnë amnisti për vepra penale kaq të rënda. Gjykata nuk duhet ta pranojë dhe ta rikthejë për hetim. Kjo dosje duhet të hetohet nga SPAK, jo nga KÇK (Kap çfarë të Kapësh)”, thotë Balla.

Në ndihmë të skenarit të dërgimit të çështjes së lobimit të Bashës në SHBA në duart e SPAK vjen dhe qëndrimi i kryeprokurores së Tiranës për ta “qepur” dhe më tej dosjen e Bashës, pasi ishte hequr akuza kryesore e pranuar dhe nga organi hetimor, ajo e “pastrimit të parave”.

Dhe një procedim i tillë përkon dhe me ngritjen e SPAK brenda këtij muaji, pasi sipas sygjerimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, mund të aplikohet versioni 8+2, në konstituimin e këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë së re, i ngritur për të hetuar “peshqit e mëdhenj”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka deklaruar se brenda muajit nëntor 2019 do emërojë prokurorët e SPAK-ut. Me krijimin e saj, të gjitha çështjet që janë aktualisht nën hetim nga prokuroritë e rretheve dhe që janë kompetencë e Prokurorisë Speciale, do i përcillen asaj për shqyrtim.

Çështja e lobimit rus në Uashington, nëse do të kthehet për hetim, do jetë kompetencë e SPAK-ut, pasi Lulzim Basha ka qenë deputet në momentin kur dyshohet se ka kryer veprën penale.

Kështu që është më se e siguritë se kreu i PD do të kalojë nëpër “filtrin” e hetimit të SPAK për të fituar ose jo pafajësinë për akuzat e bëra. I sigurtë është dhe fakti se nuk do të ketë më mbyllje të hetimeve dhe çështjes penale me procedurë, sikurse ka ndodhur me “Rrugën e Kombit”./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne