Basha niset drejt SHBA-ve, tri ditë takime në DASH

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është nisur për një vizitë 3 ditore në Shtetet e Bashkuara.

Ende nuk ka një axhendë zyrtare të bërë publike, por sipas asaj që raporton Ora News, lideri i opozitës do të ketë takime në Departament të Shtetit si dhe me senatorë të ndryshëm.

Ai do të qëndroi në Washington deri në datën 23 tetor, ndërsa shoqërohet nga Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Arben Kashahu.

Kjo vizitë 3-ditore e paralajmëruar më herët edhe nga vetë Lulzim Basha, vjen në një moment të rëndësishëm politik në Shqipëri, kur opozita prej më shumë se nëntë muajsh ka lënë çdo mandat të saj duke dalë jashtë institucioneve ndërsa kërkon largimin e qeverisë Rama.

Vizita në SHBA merr një tjetër rëndësi edhe për faktin se përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i kanë kërkuar politikës shqiptare kryerjen e një reforme të plotë zgjedhore, ndërsa Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë shprehur gatishmërinë për këtë çështje, por duke kërkuar që procesi të mos jetë në Komisioni Parlamentar, por në një strukturë të posaçme me pjesëmarrje të ndërkombëtarëve.

Reforma zgjedhore, u cilësua pak ditë më parë nga Lulzim Basha si rruga e vetme për zgjidhjen e krizës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar në vazhdimësi Partinë Demokratike dhe liderin e saj, mbi vendimin për të djegur mandatet, mbetet për tu parë nëqoftëse kjo vizitë do i shërbejë Lulizim Bashës për të bindur aleatët strategjik, siç janë SHBA-të, për kauzat e tij./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne