Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur sot për takimin me Ramën në Presidencë dhe pse dështuan negociatat aty pa zgjidhje.
Basha tha se Rama është pengesa e vetme e zgjidhjes së krizës, pasi u tërhoq nga ofertat e javës së kaluar.
Kreu i PD-së tha se nuk do të ketë bojkot të zgjedhjeve, në kuptimin që opozita nuk do të rrijë indiferente ndaj zgjedhjeve farsë por do të veprojë.
“Shkova në këtë tryezë me vullnetin e plotë dhe të palëkundur për të mos marrë asgjë për përfitime politike të miat.
Po kështu, nuk doja të lëshoja asgjë nga të drejtat legjitime të qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Unë shkova me zotimin që u kishim bërë ndërkombëtarëve se PD nuk do të linte asnjë mundësi pa eksploruar për një marrëveshje politike me kushtin e vetëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Dy janë kolonat e vullnetit politik pa të cilat nuk funksionojnë. Shqipëria është në krizë politike, dhe kërkohet zgjidhje politike.
Ky që kishte fërkuar duart bashkë me lobistët e tij që paguhen me para droge, kishte shpresuar të pamundurën. Që ne luftëtarët kundër krimit dhe drogës të tregoheshim me gisht si fajtorë të krizës.
Dje e kuptoi se edhe me paratë e drogës nuk mund ta fshehin të vërtetën. Droga dhe krimi janë kërcënimet kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri.
Nuk do të ketë bojkot, pasi ne nuk do të rrimë duarkryq teksa bëhen zgjedhjet farsë. Rama u tërhoq sot edhe nga oferta e javës së kaluar”, tha Basha.















