Basha: Shqipëria si Koreja e Veriut, asnjë investim i huaj në 6 vjet

Sipas Lulzim Bashës, qeverisja e Edi Ramës është njësoj me atë të Koresë së Veriut përsa u përket investimeve të huaja.

“Asnjë investim të huaj nuk ka sjellë Rama në Shqipëri në gjashtë vjet. Shqipëria dhe Koreja e Veriut janë dy vendet pa asnjë investim të ri të huaj në 6 vitet e fundit”, tha Basha në Gramsh, ku u takua me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.

Kreu i opozitës shpjegoi pse sipas tij, Rama ka ndjekur një politikë armiqësore ndaj investimeve të huaja në këto 6 vjet.

“Dy investimet e fundit të huaja janë Devolli dhe TAP, s’ka më investime të tjera. Të dyja janë kontraktuar në kohën e qeverisjes tonë. Nuk ka më asnjë investim të huaj, i ka përzënë. Pse i ka përzënë? Për të mbrojtur klientët e tij Edi Rama përzuri investitorët e huaj dhe i zëvendësoi me klientët e tij”, tha Basha.

“Me investime të huaja ka konkurencë. Po të ketë investime të huaja, nuk shkon dot 15-fish çmimi i autostradës. Po të ketë investime të huaja nuk grabitet dot haptazi në mes të ditës. Investimet e huaja përbëjnë kërcënim për hajdutët dhe sistemin e hajdutërisë që ka ndërtuar Edi Rama”, u shpreh Basha.

Duke vënë në dukje se Shqipëria nuk paraqiti asnjë projekt infrastrukturor për financim nga Bashkimi Europian në Samitin e Poznanit, Kreu i Opozitës tha se qëllimi i vetëm i kësaj politike është grabitja.

“Për hajdutin psiqik nuk është prioritet të marrë financime nga projektet europiane. Ai preferon më mirë t’i nxjerrë paratë nga buxheti i taksave tuaja dhe t’i vjedhë me 2, 3, 5, 10 e 15 fish vlerën e preventivit. Në këtë mënyrë ai, familjarët e tij dhe një grusht njerëzish kanë krijuar pasuri marramendëse”, – theksoi kryedemokrati./lapsi

foto galeri

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne