Shqiperia

Basha thërret në tryezë Kokëdhimën, “babain” e idesë legalizimit të drogës. Në tryezë dhe Monika e “pastër”

Politika shqiptare është shquar për ironinë e saj me publikun. Për ta quajtur kontraverse është fjalë shumë e madhe dhe nuk e meriton, por e pështirë e ka tërë “thagmën” e vet brenda.

Lulzim Basha ka disa ditë që është “kapur me thonj” pas disa përgjimeve të drejtësisë amerikane, ku dy kriminelë dhe trafikantë droge në bisedë me njëri tjetrin dhe duke iu mburrur njëri- tjetërit kanë përmendur gjysmën e Shqipërisë. Me të cilëve kanë përmendur dhe ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Pa prova,  gjë, vetëm përgjime, të cilat nuk përjashtohet mundësia të jenë zbardhur që nga Tirana për interesa politike dhe të luftës politike.

Lulzim Basha po tenton ta shfrytëzojë këtë fakt, për të sulmuar jo vetëm Saimir Tahirin por tërë mazhorancën, teksa e ka etiketuar si një mazhorancë të ardhur në pushtet me paratë e kultivimit dhe të trafikut të drogës. Dhe sot ka thirrur një tryezë të partive politike opozitare, të majta dhe të djathta, për të ngritur më larta “stekën”, për një strategji kundër kësaj qeverie që kultivon dhe bën trafik droge.

Madje dhe vjen në pushtet përmes parave të kanabisit shqiptar. Dhe ftesë veç Monika Kryemadhit “pastërtore”, i ka bërë dhe kreut të “Zgjidhja”, ish deputetit socialist dhe ish “pashait” të Jugut Koço Kokëdhima. E konfirmon vetë Kokëdhima teksa ka postuar në adresën e tij në rrjetin social njoftimin përmes të cilit lajmëron se “ZGJIDHJA i përgjigjet pozitivisht ftesës së PD-së: Front të përbashkët opozitar për zgjedhje të parakohshme “Zgjidhja” i përgjigjet pozitivisht ftesës së Partisë Demokratike për të krijuar një front të përbashkët opozitar me partitë politike, shoqërinë civile dhe qytetarët e përgjegjshëm të këtij vendi për të pastruar përfundimisht qeverisjen e Shqipërisë nga kriminelët e drogës, korrupsionit dhe të çdo lloj krimi tjetër.

Në një mesazh me video, kryetari i “Zgjdhja”-s, tha se përgjegjësia kryesore është përgatitja e reformës zgjedhore gjithëpërfshirëse që do t’u japë fund zgjedhjeve pa standarde. Kokëdhima u shpreh se duhet bërë një front i përbashkët opozitar që të detyrojë qeverinë “Rama” që të bëjë zgjedhjet e parakohshme për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndershme dhe të drejtë për shqiptarët”.

Ky është njoftimi i Koços dhe nuk ka vend për komente. Dhe ne nuk e gjykojmë Koçon që lëviz sa majtas djathtas, është në të drejtë të tij. Ne analizojnë praninë e Kokëdhimës në tryezë me Bashën kundër kanabsit. Pikërisht në kulmin e luftës së policisë dhe organeve ligjzbatuese kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ku Saimir Tahiri si ish ministër i Brendshëm ishte “violinë e parë”, Kokëdhima, ish deputet i PS dhe njeriu që shikohej si “mentor” i Ramës kryeministër bënte thirrje për legalizimin e kultivimit dhe tregtimit të kanabisit në Shqipëri. Duke e kamufluar këtë kërkesë me atë të kultivimit të kanabisit mjekësor. Deklaratë e cila ishte një “shkelje” syri për qytetarët të cilët bënë atë që bënë, me gjithë përpjekjet e policisë së shtetit që duhet theksuar shënoi një sukses vërtetë të certifikuar por që u degjenerua nga Kokëdhima dhe mbështetësit e tij rrugës.

Saimir Tahiri dhe sot e kësaj dite për shkak të luftës kundër kultivimit dhe trafikut të drogës nuk flet as me Kokëdhimën dhe as me Tom Doshin. Pra pikërisht “babai” i legalizimit të kultivimit dhe tregtimit të kanabisit në Shqipëri, Koço Kokëdhima ftohet nga Lulzim Basha kreu i opozitës për të ngritur në strategji luftën kundër qeverisë Rama që e identifikon si një qeveri e ardhur në pushtet me paratë e kanabisit.

Kjo është ironia e faktit të sotëm. Dhe në këtë tryezë është dhe Kryemadhi, kryetarja e LSI që nuk rresht se akuzuari qeverinë Rama, policinë dhe Tahirin.Madje dhe më herët, kur Ilir Meta mendonte, ndoshta jo pa bazë, se në tryezën e ish ministrit të Brendshëm ishte dosja e krimeve, trafiqeve dhe abuzimeve të tij, të ardhura nga SHBA. Ndaj kishte intensifikuar sulmet ndaj Tahirit madje dhe ndaj ambasadorit amerikan Donald Lu. Ndërkohë që sot ironia e politikës me shqiptarët me sa duket nuk po njeh kufi. Por tallja ka limite, dhe shqiptarët nuk janë budallenj ta besojnë./Pamfleti.com

OPINIONE

INTERVISTA