Rajoni Shqiperia

Bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi-Maqedoni për Drinin e Bardhë

Kosova është duke bashkëpunuar me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë në kuadër të projektit “Bashkëpunimi ndërkufitar dhe menaxhimi i integruar i burimeve ujore në Drinin e Bardhë dhe pellgun e zgjeruar të Drinit”.

“Projekti është 4-vjeçar dhe përfshin Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi”, tha sot ministrja kosovare e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, gjatë një vizite, bashkë me disa deputetë, në fshatin Gjonaj të Prizrenit, në rrjedhën e lumit Drini i Bardhë.

Ministrja theksoi se, është projekti i parë në Kosovë që financohet nga Fondi Global për Mjedis GEF. “Projekti parashikon edhe demostrim të praktikave të mira të trajtimit të ujërave të zeza për zonat rurale”, vijoi ajo.

Projekti GEF për lumin Drin është në vazhdën e procesit të “Dialogut të Drinit” që ka nisur në vitin 2009 dhe i memorandumit për vizionin e përbashkët të pesë shteteve: Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës dhe Greqisë, si partnerë, që është nënshkruar në vitin 2011 si kornizë e tërë procesit.

Në Tiranë, në dhjetor 2015, përfaqësues të qeverive të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës kanë diskutuar për veprime të koordinuara në basenin e lumit Drin. (ATSH)