Bashkësia muslimane e Minesotës fton Trumpin që të dënojë sulmin me bombë në xhami

Komuniteti musliman i Minesotës ftoi Presidentin e SHBA-së Donald Trump që të dënonte sulmin me bombë në Qendrën Islamike Dar Al-Farooq në periferi të Blumingtonit gjatë fundjavës.

Ndërkohë që Trumpi u mor me çështje të ndryshme në Twitter, që nga lavdërimi i votës së Kombeve të Bashkuara për sanksionet ndaj Koresë së Veriut mbi testet e fundit të raketave, deri te kritikimi i senatorit demokrat Richard Blumenthal, presidenti nuk ka komentuar mbi sulmin me bombë që i ka lënë muslimanët në vend të shqetësuar.

Mohamed Omar i Qendrës Islamike Dar Al-Farooq në Blumington tha të hënën për Buzzfeed se xhamia e fton Trumpin ta vizitojë për të “parë se çfarë ka ndodhur”.

“Ai është presidenti i këtij vendi dhe kjo ka ndodhur me ne. Ai duhet të vijë këtu dhe të paktën të shprehë ndjenjat e tij dhe të thotë se kjo është e keqe”, tha Omar.

“Po vrasim mendjen pse Presidenti Trump nuk ka postuar për këtë,” tha Asad Zaman, drejtor i Shoqatës Muslimane Amerikane të Minesotës, për BuzzFeed News. “Ai duket se dëshiron të postojë rreth sigurisë dhe çështjeve të terrorizmit”.

“Heshtja nga ana e zyrtarëve publikë në nivel kombëtar shërben vetëm për të fuqizuar islamofobët”, tha në një deklaratë Ibrahim Hooper, një zëdhënës i Këshillit mbi Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, duke bërë thirrje që Trumpi të dënojë sulmin, njoftoi Los Angeles Times.

Askush nuk u lëndua gjatë shpërthimit, i cili ndodhi pak para namazit të mëngjesit të shtunën, por shpërthimi dëmtoi zyrën e imamit. Pllakat e tavanit ende mbushnin dyshemenë e zyrës të hënën, së bashku me copëza të vogla xhami. Shpërthimi la një vrimë të vogël në tavan dhe dëmtoi tryezën e imamit. Dritarja është shkatërruar. Në pjesën e jashtme të dritares kishte lule të lëna nga dashamirës.

Zyra e FBI-së në Minneapolis nuk ka njoftuar arrestime apo të ketë thënë nëse ka identifikuar ndonjë të dyshuar. Në një deklaratë të hënën pasdite, agjenti special në ngarkim, Rick Thornton, e quajti atë një “krim të tmerrshëm” dhe u zotua të përqendrojë burimet e disponueshme për këtë rast derisa të zgjidhet.

Guvernatori Mark Dayton e quajti bombardimin një akt terrorizmi, kur ai dhe zyrtarë të tjerë vizituan xhaminë të dielën.

Në shenjë të shqetësimeve të vazhdueshme të sigurisë, një makinë nga një kompani private e sigurimit u parkua jashtë xhamisë të hënën. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne