Bashkia e Tiranës u jep pronat e saj për ndërtim tre kompanive, do të marrë 40% të sipërfaqes

Bashkia e Tiranës ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit tre kontrata sipërmarrjeje për ndërtim me kompanitë “Milo 2000”, “Arlis shpk” dhe “Startek” për dhënien në shfrytëzim të pasurive të saj për ndërtim.

Bazuar në këto kontrata sipërmarrjeje, në këmbim të dhënies së pronës, Bashkia do të marrë 40% të sipërfaqeve ndërtimore për pjesën që ka vendosur në dispozicion të sipërmarrësit.

Bashkia i kishte përfituar këto pasuri në periudhën 2017-2018, përmes disa vendimeve të kalimit të pronësisë nga Këshilli i Ministrave, për t’u përdorur në fushën e zhvillimit dhe planifikimit të territorit.

Ndërkohë një vendim i miratuar në vitin 2018 “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”, i jep të drejtë Bashkisë e Tiranës të japë pronat e saj për zhvillim bizneseve private, sipas modelit të Partneritetit Publik-Privat. Nëpërmjet këtij modeli të zhvillimit të pronave të saj, bashkia thotë se synon që të përfitojë sipërfaqe ndërtimore, për programe sociale dhe ambiente për nevojat e saj.

Pas miratimit të këtj vendimi, Bashkia kishte nisur negociatat me kompanitë dhe tashmë kontratat e sipërmarrjes janë finalizuar.

Kontratat

Për shoqërinë Milo shpk”, sipas kontratës, bashkia ka dhënë për shfrytëzim katër pronat e saj në rrugën Hamdi Pepa, të cilat kanë një sipërfaqe totale prej 9200 metra, por për ndërtim do të shfrytëzohen sipas kontratës rreth 272 metra. Ndërsa vetë kompania zotëronte aty pranë 75 metra ndërtesë dhe po aq truall.

Si pronare e truallit, Bashkia do të marrë 40% të pjesës ndërtimore për sipërfaqen takuese që Bashkia ka në pronësi. Kompania ka rënë dakord dhe ia ka ofruar Bashkisë këtë sipërfaqe në një objekti në proces ndërtimi ngjitur (kallkan) me objektin për të cilin po shfaq interes të zhvillojë në zonën ku ndodhen pronat e Bashkisë Tiranë.

Sipas kontratës me Shoqërinë “Startek”, Bashkia Tiranë do të japë për ndërtim pronat e saj në Rrugën e Kavajës, me një sipërfaqe totale prej 1363 m2. Vetë kompania ka lidhur kontratë sipërmarrje me pronarët për një sipërfaqe private aty pranë prej 682 m2. Edhe në këtë rast, bashkia do të përfitojë 40% të sipërfaqe ndërtimore për pjesën që ka vendosur në dispozicion të sipërmarrësit.

Me Shoqërinë “Arlis-Ndërtim”, kontrata parashikon ndërtimin e një godine disa kateshe në funksion dhe favor të Bashkisë Tiranë, në shkëmbim të lirimit të ndërtesës në pronësi të Bashkisë Tiranë të ngritur mbi truall me pronar privat, zona kadastrale 8250. Bazuar në Raportin Përmbledhës Përfundimtar.

Komisioni i Negocimit ka arritur në konkluzionin se: Vlerëson me interes propozimin e Shoqërisë “Arlis Ndërtim” shpk, paraqitur me shkresën nr. prot 44, datë 28.05.2020, për ofrimin e sipërfaqes totale 4400 m2, duke shprehur dakortësinë për vijim e procedurës ligjore për realizimin e Akt-Marrëveshjes mes Bashkisë dhe subjektit “Arlis Ndërtim” sh.p.k për ndërtimin e një godine disa katëshe në funksion dhe favor të Bashkisë Tiranë, në shkëmbim të lirimit të ndërtesës në pronësi të Bashkisë Tiranë të ngritur mbi truall me pronarë privat, zona kadastrale 8250.

Në Zonën Kadatsrale 8250 , bashkia ka një sipërfaqe totale ndërtese prej 5903.39 m2, që rezulton pothuajse e shembur dhe një pasuri shesh prej 322.42 m2. Ndërkohë vetë kompania ka disa prona të vetat aty pranë, që do ti shfrytëzojë për ndërtim.

Sipas kontratës: Shoqëria “Arlis-Ndërtim” sh.p.k. merr përsipër, që mbi pasuritë truall të, të cilat janë në pronësi të Bashkisë Tiranë, të ndërtojë një godinë të re, sipas nevojës dhe standardeve për funksionimin e institucioneve të cituara më sipër. Godina, sipas projektit të propozuar nga shoqëria “Arlis-Ndërtim” sh.p.k. dhe të pranuar nga Bashkia e Tiranës, do të jetë 5 katëshe mbi tokë dhe një kat nëntokë, me një sipërfaqe ndërtimi mbi tokë 3.200 (tre mijë e dyqind) m2, dhe sipërfaqe ndërtimi nën tokë jo më të vogël se 1.200 (njëmijë e dyqind), sipërfaqe totale ndërtimore prej 4’400 (katërmijë e katërqind) m2./Monitor/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne