Shqiperia

Bashkia Kurbin nxjerr nga hotelet e Shëngjinit banorët e strehuar prej tërmetit

Dhjetëra familje të strehuara në hotelet e Shëngjinit pas tërmetit të 26 nëntorit kanë mbetur të pastrehë e të paushqyer, pasi bashkia e Kurbinit ka ndërprerë kontratat me hotelet.

Ata ishin lajmëruar para disa ditësh që mund të qendronin në hotele deri më datë 1 shkurt, por shumë prej tyre shprehen se nuk kanë gjetur banesa me qira për tu zhvendosur, ndërsa të tjerë shpjegojnë se nuk janë përfitues nga skemat e bashkisë.

“Unë kam qenë me qira dhe banesa u dëmtua nga tërmeti. Na sollën këtu në Shëngjin pas tërmetit dhe na strehuan. Tani unë nuk përfitoj bonus, pasi me thonë gjeje shtëpi tjetër me qira dhe paguaje vetë. Qiranë me parë e kam patur 50 mijë lekë (të vjetra) tani ka shkuar 200 mijë dhe s’kam mundësi ta paguaj”, tha një banor.

Të tjerë banorë thanë se megjithëse përfitonin ata nuk e kishin marrë bonusin e qirasë. ‘Na thanë të dalim nga hoteli, pa më dhënë bonus, çadër apo kontenier. Unë nuk e di ku do shkoj me gruan dhe tre fëmijët e mi.

Do e liroj hotelin dhe do rri këtu në hyrje të hotelit sëbashku tre fëmijët e vegjël e të vijë të na shikoje shteti. Na kanë lënë në mëshire të fatit dhe kjo është e papranueshme’ thotë Elson Çarçani banor i Laçit.

Kryefamiljarë të tjerë shprehën shqetësimin për burokracitë dhe rradhët e gjata për të dokumentuar dëmet dhe problemet e shkaktuara nëpër banesat e tyre.

Bashkia e Kurbinit refuzoi të përgjigjej për shqetësimet e banorëve./Birn

OPINIONE