Bashkimi Evropian përgatit kundërmasa ndaj taksave amerikane për automjetet

Bashkimi Evropian po përgatit një listë të produkteve amerikane që mund të taksojë në rast të vendosjes së tarifave doganore për automjetet, konfirmoi të enjten komisarja evropiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom.

“Ne po përgatitim me shtetet anëtare një listë me kundërmasa dhe e kemi shprehur qartë për partnerët tanë amerikanë”, – theksoi Malmstrom gjatë një fjalimi para qendrës së analizës “German Marshall Fund”, në Bruksel, duke shtuar se taksat e mundshme të Uashingtonit ndaj automjeteve të BE-së do të përbënin një shkatërrim.

“Kjo listë po përgatitet, por ajo do të bëhet në të njëjtën mënyrë si me çelikun dhe aluminin”, – shtoi ajo.

SHBA-ja ka vendosur që prej fillimit të qershorit tarifa doganore prej 25% për çelikun evropian dhe 10% për aluminin, një vendim kundër të cilit evropianët janë përgjigjur menjëherë nëpërmjet masave kundër disa produkteve amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar tashmë për taksimin në masën 20% të importeve amerikane të makinave të prodhuara në BE.

“Masat e ngjashme me ato të çelikut dhe aluminit për automjetet do të ishin një shkatërrim”, – paralajmëroi Malmstrom.

Komisionerja suedeze do të shoqërojë Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, më 25 korrik, në Uashington, për të gjetur zgjidhje për tensionet tregtare me SHBA-në dhe për të avancuar për një agjendë tregtare të përbashkët pozitive. / trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne